Lidhje

Roman i ri mbi jetën e një emigranteje shqiptare në SHBA

  • Ardita Simiçia

Roman i ri mbi jetën e një emigranteje shqiptare në SHBA

Roman i ri mbi jetën e një emigranteje shqiptare në SHBA

Një vajzë e re shqiptare ka tërhequr këto kohë vëmendjen e shtypit amerikan. New York Times, Washington Post e gazeta të tjera me emër kanë botuar pasazhe të jetës së 26-vjeçares Lula nga Tirana. Por Lula është thjesht një personazh romani, krijim i imagjinatës së shkrimtares Fransin Prouz në librin e saj të fundit me titull “My New American Life” – “Jeta Ime e Re Amerikane”. Vajza shqiptare është një emigrante nga Shqipëria në vitin a parë të vendosjes në Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur vendi ende nuk kishte kapërcyer shokun dhe panikun që lanë sulmet terroriste të 11 shtatorit. E gjithë kjo atmosferë, shpjegon autorja, rrëfehet përmes syve të freskët të një vajze të re nga Tirana.

Për shumë lexues shqiptarë, Lula mund të jetë një metaforë e klisheve që ekzistojnë në mendjet e të huajve për shqiptarët, me disa ngjashmëri të rralla nga përvojat që disa emigrantë shqiptarë mund të kenë ndeshur në kontaktin e tyre të parë me Amerikën. Por për autoren Fransin Prouz, Lula nuk personifikon medoemos një shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Ajo pohon se në krijimin e personazhit kryesor, ajo i ka lejuar vetes çdo liri të mundshme si shkrimtare:

“Ajo është vetja e saj. Ajo është një personazh në një vepër letrare – një person që mund të jetë vetëm vetja e saj. Këtë bën autori në një vepër letrare, krijon një personazh që është individ dhe jo kombësi”.

Qëllimi, shpjegon autorja, ishte që personazhi kryesor të tingëllonte si diçka sa më ekzotike, e ardhur nga një realitet sa më i largët nga përvoja amerikane. Kjo do të ofronte mundësinë që realiteti amerikan të vihej nën analizën e një të huaje që do të mund të ofronte një kritikë të freskët për gjëra që shumë amerikanë tashmë i konsiderojnë si normale, ose i kanë harruar. Shkrimtarja Prouz ndalet tek ndenja e frikës, tek ksenofobia dhe paranoia që ajo thotë se pushtuan vendin pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

“Ishte një kohë tepër e vështirë për imigrantët në këtë vend. Pas sulmeve të 11 shtatorit, gjërat u shtrënguan njerëzit u bënë më dyshues, pra duke e ndërtuar subjektin në atë kohë, situata bëhej shumë e vështirë për Lulan. 3:35 “Kur e kisha filluar librin, zgjedhjet i kishte fituar Obama. Doja të thoja: “këto gjëra vërtetë ndodhën, dhe doja ta shihja vendin tim përmes sysh të freskët”.

Për t’i kujtuar amerikanët për atë që e cilëson si absurditeti i periudhës së administratës Bush, Francin Prouz ka zgjedhur një vajzë 26-vjeçare shqiptare, me një anglishte të shkëlqyer, që duket shumë më e zgjuar dhe më e pjekur se vitet e jetës.

“Lula, si personazh është shumë e zgjuar dhe e mprehtë në vëshgime. Megjithëse reagon shpejt, ajo i gjykon gjërat thellësisht. Të gjithë ata që udhëtojnë e përjetojnë çdo gjë me shumë energji”.

Historia e vajzës shqiptare është historia e mijëra vajzave e djemve shqiptarë, por edhe miliona njerëzve nga kombe të tjera që hodhën sytë nga Amerika për një të ardhme më të mirë. Ajo ndodhet në Shtetet e Bashkuara me vizë turizmi, kur i buzëqesh fati dhe një amerikan vendos ta punësojë për t’u kujdesur për djalin e tij adoleshent dhe ta ndihmojë për të marrë dokumentat e qëndrimit përmes një miku të tij jurist.

“Dy personazhet kryesore amerikane duan vërtetë të ndihmojnë. Por këto burra në roman nuk janë përfaqësues të qeverisë, por janë amerikanë liberalë që mendojnë se mund ta ndihmojnë Lulan. Kjo është një ndër bindjet dhe fantazitë e mrekullueshme amerikane, se ne mund të ndihmojmë njerëzit të asimilohen në kulturën dhe shoqërinë tonë”.

Me disa ndërlikime të papr itura dhe shpesh dramatike, me prezantimin e një grupi shqiptarësh me histori të dyshimta dhe synime të errëta, subjekti merr ngarkesën e jetës së shumë imigrantëve të ballafaquar me alternativën e ekzistencës përtej ligjit. Çdo gjë fillon me shfaqjen një ditë dimri të një makine të markës Lexus para shtëpisë ku Lula jeton dhe kujdeset për adoleshentin amerikan: Autorija shpjegon:

“Zanafillën libri e ka tek një ofertë që m’u bë për të shkruar një tregim për një revistë që në atë kohë publikohej nga marka Lexus. Kisha përpara fotografinë e makinë Lexus dhe duhet të dilja me një subjekt...”.

Ideja ishte që kjo makinë e shtrenjtë të shënonte fillimin e dramës. Kush mund ta bënte mbërritjen e kësaj makine më dramatike se sa dalja prej saj e 3 shqiptarëve, të përfshirë në jetë kriminale, të cilët trokasin një ditë në portën e Lulas dhe i kërkojnë asaj të fshehë diku në shtëpinë ku punon, një revolver. Pikërisht këtu fillon shtjellimi i subjektit.

Shkrimtarja njihet për labirintet e personazheve të romaneve të saj dhe për satirën djegëse e realizimin tronditës të subjekteve të saj. Megjithëse Fransin Prouz ka shkruar ese dhe analiza për një numër revistash e publikimesh periodike, ajo thotë se letërsia artistike mbetet dashuria e saj e parë dhe më e madhe:

“Më pëlqen të shkruaj letërsi artistike. Më pëlqen më shumë, si rezultat i kënaqësisë që të jep imagjinata. Fakti që mund të bëhem dikush tjetër, fakti që kalova 3 vjet si një vajzë shqiptare 26-vjeçare, s’ka agjë tjetër që i përngjet kësaj. Është sikur të të jepet mundësia të jetosh një numër jetësh të tjera përveç tëndes”.

Përmes Lulas, shkrimtarja përjeton ngazëllimin, por edhe ankthin e emigrantit, që fillon një jetë krejt të re në një tokë të panjohur, i gatshëm për të përqafuar një kulturë, një përvojë dhe mbi të gjitha një identitet të ri për veten. Në një stil që u përngjet filmave me kaubojs, romani mbyllet me Lulan për herë të parë në jetën e saj pas timonit të shoferit, duke nisur një makinë të vjedhur në perëndim të diellit, në një autostradë të ngarkuar në hyrje të Nju Jorkut, drejt një jete të panjohur por plot shpresë, e pajisur me dokumentat e qëndrimit, që i garantojnë Lulas vendin e saj në tokën e premtuar.

XS
SM
MD
LG