Lidhje

SHBA: Myslimanët e rinj kërkojnë imam të arsimuar në vend

  • Vidushi Sinha
  • Zëri Amerikës

SHBA: Myslimanët e rinj kërkojnë imam të arsimuar në vend

SHBA: Myslimanët e rinj kërkojnë imam të arsimuar në vend

Popullata myslimane në Shtetet e Bashkuara po shtohet, ashtu siç po shtohen edhe nevojat për udhëheqje shpirtërore. Në materialin në vazhdim vihet në dukje se një brez i ri myslimanësh të Amerikës po kërkojnë më shumë nga xhamitë lokale, të cilat jo gjithnjë mund të përmbushin nevojat.

"Nuk bëhet fjalë për atë që shikojmë në televizion apo për kodin e veshjes apo ndonjë gjë tjetër. Bëhet fjalë për marrëdhënie të mira me fqinjin, kolegun apo këdo tjetër. Bëhet fjalë për marrëdhënie të mira me Zotin. Kjo është e gjitha"
.
Adeel Zeb synon të bëhet imam dhe është klerik mysliman në Universitetin Amerikan në Uashington. Ai përpiqet të tërheqë myslimanë të rinj me atë që ai e quan masazhin e saktë të Islamit.

Kleriku Zeb thotë se shpesh nuk krijohen lidhjet mes të rinjve myslimanë të Amerikës dhe udhëheqësve të lindur në vende të tjera, të cilët janë në krye të shumë xhamive në Shtetet e Bashkuara.

"Kur një i ri takohet për herë të parë me një imam, që ka lindur në një vend tjetër, ekziston mbi të gjitha pengesa e komunikimit për shkak të gjuhës, ekziston gjithashtu një pengesë kulturore si dhe dallimi i moshës. Pra ekzistojnë shumë pengesa, që duhen kapërcyer".

Sajid Sied, zyrtar i lartë në Shoqërinë Islame të Amerikës Veriore, e pranon se shumë imamë në xhamitë e Amerikës, vijnë nga vende të tjera, por ai vë në dukje se kjo ka filluar të ndryshojë.

"Ne na u desh të mos pranonim disa imamë, që e njihnin mirë Kuranin, por nuk mund të krijonin lidhjen e nevojshme me njerëzit. Ata kishin një farë mentaliteti që nuk përputhej me gjendjen aktuale në xhamitë tona, ku si burrat edhe gratë janë shumë aktivë në pozita udhëheqëse në qendrat islame. Imamët që erdhën nga vende të tjera nuk mund të pranonin faktin që femrat të ishin në krye të qendrave islame".

Në shumë vende myslimane, puna e vetme e imamit është të udhëheqë lutjet, por këtu në Shtetet e Bashkuara ata shpesh luajnë një rol më të madh.

"Imami është më shumë një figurë në krye të komunitetit dhe jo thjeshtë në krye të lutjeve."
Sheikh Shaker Elsayed është imam i xhamisë Dar Al-Hijrah në Virxhinian veriore.
"Këtu imami është gjykatës, arbitër, ndërmjetës, psikolog, herë-herë psikiatër dhe mik. Imami është si vëlla, është udhëheqës, mësues, pra luan shumë role dhe secili kërkon prej tij atë që ka nevojë".
Imam Elsayed erdhi nga Egjipti para 30 vjetësh.
"Imamët e ardhur nga vende të tjera përballen me një periudhë të gjatë përshtatjeje. Mesatarisht duhen 5 deri në 8 vjet që një imam të bëhet me të vërtetë një udhëheqës lokal i efektshëm, veçanërisht kur ai vjen nga një mjedis shumë i vogël në një mjedis shumë më të madh dhe të hapur si Shtetet e Bashkuara".
Por amerikanët e rinj myslimanë shpesh kanë pyetje që kërkojnë përgjigje të menjëhershme.

"Duhet një imam, që kupton jetën e një myslimani këtu. Unë u rrita pranë një xhamije, që shkoja vetëm pak herë gjatë në vit".

"Është shumë më lehtë të krijosh lidhje me dikë që ka jetuar në Shtetet e Bashkuara dhe e kupton më mirë jetën këtu dhe jo një imam që vjen nga një vend tjetër thjesht për të predikuar".

Komuniteti në përgjithësi e kupton nevojën e një imami, që njeh mjedisin e vështirë për një amerikan mysliman, që rritet në një vend jo-mysliman.

"Ekziston nevoja që të vazhdojnë lidhjet kur të rinjtë janë në shkollë të mesme dhe në universitet dhe kur ata janë në procesin e eksplorimit të botës së tyre, kur ata janë në procesin e të mësuarit dhe ende janë të rinj dhe pranojnë shumë gjëra".
Kleriku Zeb thotë se amerikanët myslimë kërkojnë një udhëheqës shpirtëror, që mund të ndihmojë në shkrirjen e mësimeve 14 shekullore të Islamizmit me traditat moderne të jetës amerikane.


XS
SM
MD
LG