Lidhje

Shoqata për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë në shekullin e saj të dytë


Shoqata për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë në shekullin e saj të dytë
Shoqata për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë në shekullin e saj të dytë

Mijra afrikano-amerikanë janë mbledhur në Kansas Siti të shtetit Mizuri për kuvendin vjetor qo po mban organizata më e vjetër dhe më e madhe e të drejtave të njeriut në Amerikë. Organizata e cila njihet me emrin Shoqata Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë, hyri sivjet në shekullin e saj të dytë si zëri kryesor i afrikano-amerikanëve në këtë vend. Sot, ajo përpiqet të tërheqë të rinj ndërkohë që lufton për vende pune më të mira dhe për më shumë shanse arsimimi në favor të pakicave.

Në historinë amerikane ka patur një kapitull të turpshëm që zgjati deri vonë në shekullin e 20 – linçimi i afrikano-amerikanëve për të ndëshkuar dhe frikësuar një racë të tërë njerëzish. Pikërisht për t’u dhënë fund krimeve të tilla dhe ndarjes së madhe racore, një grup njerëzish themeluan në vitin 1909 Shoqatën Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë.

"Objektivi ynë ishte të ndalej praktika e linçimit, domethënë varja e zezakëve nëpër pemë dhe djegia e tyre për së gjalli. Luftuam për 60 vjet me radhë deri sa fituam."

Benjamin Todd Jealous është president i organizatës. Në vitin 2008, në moshën 35-vjeçare, ai u bë personi më i ri që udhëhiqte organizatën më të vjetër dhe më të madhe të të drejtave të njeriut.

"Ne çuam në Gjykatën e Lartë një padi – e para në llojin e vet – e cila bëri që ndarja racore në Amerikë të shpallej e paligjshme."

Kjo ishte fitorja më e madhe e organizatës. Padia quhej Braun kundër Drejtorisë së Arsimit. Vendimi i Gjykatës së Lartë në vitin 1954 i dha fund ndarjes racore në shkollat publike duke hedhur poshtë doktrinën 60-vjeçare “të ndarë por të barabartë”. Ted Sho është një ndër përfaqësuesit juridikë të organizatës.

"Kjo padi kishte të bënte me eliminimin e një sistemi të supremacisë së bardhë e cila i privonte nxënësit dhe studentët afrikano-amerikanë nga shanset e barabarta për t’u arsimuar."

Nga kutia e votimit te shkolla, organizata ka luftuar për drejtësi shoqërore dhe ka shërbyer si një zë i rëndësishëm për afrikano-amerikanët. Organizata u rrit, duke përdorur kishat për rekrutimin e qindra mijra anëtarëve dhe ndihmoi për të garantuar mbështetje në favor të Aktit të të Drejtave Civile në vitin 1964. Legjislacioni i ri shfuqizoi ligjet që përpiqeshin të mbanin më këmbë ndarjen racore.

"And the Image Award goes to Jennifer Hudson."

Sot, pas 46 vjetësh, organizata ka kaluar nga kërkesat drejtuar presidentëve për të mbrojtur të drejtat civile në kërkesat ndaj vendit për të ndihmuar të gjitha pakicat.

"Fshati global ku ne jetojmë po bëhet gjithnjë e më tepër ngjyrë kafe. Tre në çdo dhjetë vetë në këtë vend janë njerëz me ngjyrë. 85 përqind e tyre do të jenë gra, pakica dhe imigrantë. Në këtë sfond, organizata jonë do të ketë një rol kyç për të luajtur."

Rozlin Brok është kryetare e bordit drejtues të organizatës. Ajo është 36 vjeç, më e reja dhe gruaja e parë që mban një pozitë të tillë. Ajo thotë se një prej objektivave të saj është të rekrutojë më shumë të rinj për t’u bërë aktivistë të të drejtave civile dhe njerëzore.

"Ne duam të frymëzojmë përsëri shpresë dhe optimizëm te brezi i ri që ata të marrin pjesë aktivisht në ndryshimin që po ndodh në vend."

Por Presidenti Obama thotë se dhimbja e diskriminimit ende ndihet në Amerikë.

Megjithëse racizmi edne nuk është zhdukur, zgjedhja e Barak Obamës si presidenti i parë zezak i vendit i bën disa të pyesin nëse kjo organizatë ende është e nevojshme. Kreu i Shoqatës përgjigjet “po” pa asnjë dyshim.

"Ne nuk jemi një shoqatë kombëtare që interesohet për përparimin e këtij apo atij njeriu me ngjyrë. Ne punojmë për njerëzit, për ta bërë këtë vend të tillë që çdo fëmijë të shkojë në një shkollë të mirë, që çdo punëtor të ketë një punë të mirë, pra këtu përqendrohemi ne sot."

Motoja e Shoqatës tani në shekullin e saj të dytë është: “Një vend, një ëndërr,” pra organizata lufton që çdo njeri, pavarësisht nga raca, të trajtohet me drejtësi dhe të mund të arrijë potencialin e tij të plotë.

XS
SM
MD
LG