Lidhje

Festivali vjetor i xhazit në Nju Orlins të Luizianës

  • Zorislav Baidiuk

Festivali vjetor i xhazit në Nju Orlins të Luizianës

Festivali vjetor i xhazit në Nju Orlins të Luizianës

Festivali i 41-të i Xhazit dhe Trashëgimisë së Nju Orlinsit mbyllet sot pas shtatë ditë aktivitetesh që filluan më 25 prill. Gjatë kësaj jave aty kanë shkuar rreth 400 mijë dashamirës të muxikës xhaz nga gjithë Shtetet e Bashkuara si dhe nga vende të tjera. Të ardhurat nga festivali do të shërbejnë për programet edukative dhe kulturore, si dhe për të ndihmuar muzikantët e rinj në vështirësi. Festivali pëfshin muzikën, kulturën dhe traditën që janë të veçanta në Nju Orlins.

Kjo është mënyra e Nju Orlinsit për të nderuar kujtimin e muzikantëve që kanë vdekur. Gëzim, dëshpërim dhe përsëri gëzim. Mbi të gjitha, kështu do ta donin këtë aktivitet ata që kanë ikur. Një funeral xhazi, gjatë një festivali xhazi është një traditë e vjetër këtu.

Është një nderim i madh për të vdekurit që të përkujtohen në këtë park, i konsideruar i shenjtë për muzikantët dhe të tjerët që kanë dhënë një kontribut të madh për historinë e xhazit. Dhe për ata që jetojnë, ftesa për të ardhur në Festivalin e Xhazit këtu në Nju Orlins, konsiderohet një nder i madh.

Gjatë këtyre shtatë ditëve, tingulli i xhazit si dhe zhanre të tjera të muzikës që i aknë rrënjët në Nju Orlins, janë dëgjuar nga të 12 skenat e ngritura në parkun e hipizmit. Leroy Jones ka luajtur xhaz për 40 vjet dhe u lidh me këtë zhanër muzikor që kur ishte 12 vjeç.

"Nga xhazi erdhën forma të tjera të muzikës, të ashtuquajtura popullore, kombinime të zhanreve të ndryshme të muzikës që i japin xhazit një tingëllim të ndyshëm. Por themeli i këtyre tingujve është tek xhazi që filloi në Nju Orlins”.


Muzika që luan ky grup muzikantësh të rinj që quhen “Roddie Romero dhe the Hub City All-Stars”, është shembull i një sërë stilesh që kanë dalë nga xhazi dhe forma të tjera të muzikës vendase.

Festivali i parë i xhazit në Nju Orlins u mbajt në vitin 1970 dhe tërhoqi 350 dashamirës të kësaj muzike. Këtë vit rreth 400 mijë njerëz kanë ardhur për t’u argëtuar këtu, megjithë shiun e dëndur ditën e parë të festivalit dhe detin e baltës ditën tjetër.

Nju Orlinsi është një vend ideal për zhvillimin e festivaleve. Muzikanti Joe Krown thotë se qyteti me të vërtetë merr frymë nga muzika.

"Ka kaq shumë aktivitete. Çdokush do muzikë për gjithëçka. Ata nuk mund të hanë pa muzikë. Ata nuk zhvillojnë asnjë aktivitet pa muzikë. Këtu është qendra e gjithëçkaje”.

Në qytet kanë ardhur muzikantë nga e gjithë bota. Katja Toivola erdhi për herë të parë këtu si turiste nga Finlanda 15 vjet më parë dhe ra në dashuri me Nju Orlinsin. Tashmë ajo ka pothuajse 10 vjet që jeton këtu.

"Për të luajtur xhazin tradicional, Nju Orlinsi është vendi më i përshtatshëm në gjithë botën, është vendi më i mirë”.

Festivali i Xhazit në Nju Orlins nuk është as më i madhi dhe as më i vjetri në botë. Por megjithatë është i veçantë, pasi mbahet në qytetin që është djepi i xhazit. Për nga popullariteti, xhazi është eklipsuar nga stile të tjera muzike të cilave u dha jetë, por ende mbetet një formë e dashur dhe e veçantë e artit amerikan.

XS
SM
MD
LG