Lidhje

Reagime në mbarë botën për dhënien e çmimit Nobel të Paqes

  • Zëri Amerikës

Reagime në mbarë botën për dhënien e çmimit Nobel të Paqes

Reagime në mbarë botën për dhënien e çmimit Nobel të Paqes

Disidenti i burgosur kinez Liu Xiaobo u nderua me çmimin Nobel të Paqes për luftën e tij të gjatë paqësore për të drejtat bazë të njeriut. Kina reagoi menjëherë duke e akuzuar Komitetin norvegjez Nobel për shkelje të parimeve duke nderuar sipas saj “një kriminel”.

Media shtetërore kineze bllokoi menjëherë lajmin ndërsa qeveria censuroi njoftimet në internet.
Kina deklaroi se vendimi do të dëmtojë marrëdhëniet e saj me Norvegjinë. Megjithatë, Thorbjorn Jagland, kryetari i Komitetit Nobel tha se Liu Xiaobo ishte simbol i luftës për të drejtat njerëzore në Kinë.

"Fushata për të vendosur të drejtat universale në Kinë po zhvillohet nga shumë kinezë, në Kinë dhe jashtë saj. Përmes dënimeve të rënda Liu është bërë simbol i luftës së gjithanshme për të drejtat e njeriut në Kinë".

Çmimi i paqes këtë vit pason një traditë të gjatë të nderimit të disidentëve në mbarë botën dhe ishte i pari për komunitetin disident të Kinës që doli pasi udhëheqja komuniste e vendit ndërmorri reforma ekonomike, por jo politike tre dekada më parë.

54 vjeçari Liu është dënuar me 11 vjet burg në Kinë për veprimtari armiqësore.

Komiteti Nobel citoi pjesëmarrjen e zotit Liu në protestat në sheshin Tienanmen në vitin 1989 në Pekin dhe një dokument të tij i quajtur Karta 08 ku bëhet thirrje për liri më të madhe në Kinë dhe për t’i dhënë fund dominimit politik të partisë komuniste.

Autoritetet kineze nuk lejuan qasjen ndaj zotit Liu sot. Megjithatë gruaja e tij shrehu gëzim për lajmin.

"Që kur Shiaobo u arrestua, miqtë rreth meje më kanë thënë se kanë më shumë shpresa tek Shiaobo, pasi kjo është një mundësi, një mundësi për të ndihmuar Kinën të ndryshojë disi".

Ministria e jashtme kineze kritikoi ashpër vendimin për çmimin Nobel duke thënë se ai duhet të ishte përdorur më mirë për të nxitur miqësinë ndërkombëtare dhe çarmatimin.

Një zëdhënëse tha se zgjedhja e zotit Liu ishte kundër synimit të dhënies së këtij çmimi.

“Personi për të cilin po flisni është dënuar nga sistemi juridik i Kinës pasi shkeli ligjin. Sjellja dhe veprimet e tij bien ndesh me synimin e çmimit Nobel.”

Liu ka qënë një mbështetës i fortë i ndryshimeve politike graduale e paqësore, dhe jo konfrontuese me qeverinë, ndryshe nga grupe të tjera të komunitetit të persekutuar kinez të ndarë në shumë fraksione.

XS
SM
MD
LG