Lidhje

Ish-Presidenti Karter në Korenë e Veriut me synim lirimin e një amerikani të burgosur


Ish presidenti amerikan Xhimi Karter mbërriti në Korenë e Veriut në një mision që synon lirimin e një qytetari amerikan të burgosur që nga janari. Zyrtarët amerikanë thanë se ish presidenti 85 vjeçar dhe laureati i çmimit Nobel ndërmorri misionin privat për të burgosurin Aijalon Mahli Gomez. Agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut njoftoi se Gomez muajin e kaluar u përpoq të kryente vetvrasje.

Ish presidenti Xhimi Karter mbërriti në Korenë e Veriut sot në një mision që zyrtarët amerikan thonë se synon të kthejë në atdhe të burgosurin amerikan. Zoti Karter u prit në aeroportin e Phenianit nga i dërguari i lartë koreanoverior për çështjet bërthamore Kim Kye Gwan.

Zyrtarët amerikanë thanë të hënën në Uashington se zoti Karter do të bënte udhëtimin e pazakontë në Korenë e Veriut për të negociuar lirimin e 31 vjeçarit të dënuar me tetë vjet burg për hyrje ilegale në vendin komunist. Aijalon Mahli Gomes, nga Bostoni u arrestua pasi kaloi ilegalisht në Korenë e Veriut nga Kina.

Sipas një zyrtari të lartë amerikan, Korea e Veriut ra dakort ta lirojë atë me kusht të një vizite në Phenian nga ish presidenti amerikan. Një burim tjetër tha se zoti Karter pritet të kalojë një natë në Korenë e Veriut dhe të kthehet nesër në Shtetet e Bashkuara së bashku me Gomes. Të dy zyrtarët folën me kusht anonimiteti për shkak të situatës sensitive. Zyrtari i lartë amerikan theksoi se zoti Karter nuk përfaqësonte qeverinë amerikane por ishte në një mision privat.

Asnjë zyrtar amerikan nuk e shoqëron zoti Karter në këtë udhëtim, tha zyrtari. Media koreanojugore kishte njoftuar se zoti Karter udhëtoi me një avion privat së bashku me bashkëshorten e tij Rosalynn dhe presidentin e qendrës Karter, John Hardman.

XS
SM
MD
LG