Lidhje

Komisioni për Mbrojtjen e Objekteve Historike, pro ngritjes së Qendrës Islamike në Nju Jork

  • Karolin Uiver

Komisioni për Mbrojtjen e Objekteve Historike, pro ngritjes së Qendrës Islamike në Nju Jork

Komisioni për Mbrojtjen e Objekteve Historike, pro ngritjes së Qendrës Islamike në Nju Jork

Në kapitullin e fundit të një beteje tepër të nxehur, një agjenci e qytetit të Nju Jorkut i ka hapur dritën e gjelbër ndërtimit të një qendre islamike pranë vendit ku ngrihej Qendra Botërore e Tregtisë. Kjo zonë e Nju Jorkut është njohur me termin kuota-zero që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, të cilat shkatërruan kullat binjake që ngriheshin atje.

Me votën e djeshme, Komisioni i Nju Jorkut për Mbrojtjen e Objekteve Historike nuk pranoi t’i jepte statusin e objektit historik një ndërtese të shekullit të 19 që ndodhet aktualisht në truallin ku është propozuar të ngrihet Qendra Islamike me 13 kate dhe me vlerë 100 milionë dollarë. Komisionerët deklaruan se ndërtesa, nga e cila nuk shihet kuota zero, nuk ka ndonjë vlerë të veçantë historike apo arkitekturale.

Disa nga të pranishmit reaguan me zemërim ndaj vendimit. Pamela Geller kryeson një grup që kundërshton ngritjen e qendrës. Në grup bëjnë pjesë familjarë të viktimave që gjetën vdekjen në sulmet terroriste të 11 shtatorit. Zonja Geller dhe aktivistët e tjerë thonë se qendra, e cila do të përfshinte edhe një xhami, do të ishte një fyerje për kujtimin e viktimave të 11 shtatorit.

"U ka shkaktuar dhimbje tepër të mëdha familjarëve të viktimave pasi këto familje ishin ata që u prekën direkt. Nëse synimi i qendrës ishte shërimi i plagës, faktikisht ka realizuar të kundërtën. Përse nuk heqin dorë nga xhamia dhe të ndërtojnë vetëm një qendër për komunitetin?"

Përkrahësit e qendrës thonë se ajo do të jetë e hapur për të gjithë nju-jorkezët. Një tjetër grup familjesh të viktimave të 11 shtatorit nxori një deklaratë në mbështetje të qendrës. Daisy Khan është një ndër kryesuesit e grupit:

"Ne jemi për paqe, pasi paqja është më e rëndësishmja. Ne besojmë në simbolikën e të qënit pranë këtij vendi, ku ndodhi një tragjedi aq e madhe, pasi besojmë se do të lindë një shërim po aq i madh plagësh."

Anëtarët e një grupi liberal hebraik, i quajtur Jay Street, janë të një mendimi.

"Komuniteti mysliman në Nju Jork ka të drejta po aq sa çdokush tjetër. Si hebrenj të Amerikës ne besojmë se historia jonë na ka lënë mësimin se ka rëndësi të ngremë zërin kur kërcënohen liritë fetare të të tjerëve."

Nga fundi i ditës, Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg, i cili e ka mbështetur me forcë qendrën, bëri një deklaratë për vendimin, duke qëndruar pranë klerikëve të besimeve të ndryshme:

"Shpresoj se kjo xhami do të ndihmojë për ta bërë qytetin tonë më të bashkuar dhe për të zhdukur idetë fallso se sulmet e 11 shtatorit kishin ndonjë gjë të përbashkët me fenë islame. Myslimanët janë po aq sa çdokush tjetër - pjesë e këtij qyteti dhe e vendit tonë."

Themeluesit e Qendrës Islamike thonë se do të ngrenë një përmendore në nderim të viktimave të 11 shtatorit dhe se bordi i qendrës do të ketë edhe anëtarë jo-myslimanë. Ndërtimi i qendrës do të fillojë pasi të grumbullohen fondet e nevojshme.

XS
SM
MD
LG