Lidhje

Obama përfundon turneun për nxitje përkrahjeje në shtetet perëndimore

  • Dan Robinson
  • Zëri Amerikës

Obama përfundon turneun për nxitje përkrahjeje në shtetet perëndimore

Obama përfundon turneun për nxitje përkrahjeje në shtetet perëndimore

Presidenti Barak Obama është kthyer në Shtëpinë e Bardhë pas një seri aktivitetesh në shtete të rëndësishme politike në Kaliforni dhe Nevada. Zoti Obama e shfrytëzoi këtë turne dhe aktivitete të tjera për të nxitur përkrahësit të mbështesin propozimet e tij për uljen e deficitit dhe borxhit, ndërkohë që ndizet fushata për zgjedhjet presidenciale të 2012.

Në Kaliforni dhe Nevada si dhe shtete të tjera Presidenti Obama ka folur këtë javë për vizionin e tij mbi “Begatinë e Përbashkët përmes Përgjegjësisë së Përbashkët”. Në qendër të fjalimeve të tij ishte deficiti dhe borxhi si dhe zgjedhja ndërmjet propozimeve të tij dhe planeve që ai i cilëson shumë më ekstreme të prezantuara nga republikanët.

Në aktivitete sa politike aq edhe me synimin për grumbullim fondesh, zoti Obama foli edhe për taksat dhe për nevojën për të reformuar programet qeveritare për kujdes shëndetësor për të varfrit dhe pensionistët si dhe u ndal tek problemi i çmimeve të larta të karburantit.

Lidhur me temën e deficitit, Presidenti theksojnë se ai dhe republikanët janë të një mendjeje për shkurtimin e shpenzimeve dhe uljen e borxhit kombëtar. Por ai tha në një aktivitet në Nevada se ndryshimi është tek metodat për arritjen e këtij synimi:

"Ashtu si do të rrezikohej e ardhmja jonë nëse nuk i kushtojmë rëndësi deficitit, po ashtu edhe nëse nuk investojmë në të ardhmen e brezit të ri, apo në modernizimin e infrastrukturës, në shkencë dhe kërkime, do të vinim në rrezik të ardhmen. Unë nuk e pranoj një sakrificë të tillë. Kjo është tema në qendër të debatit aktual”.

Presidenti dhe republikanët duhet të reduktojnë të paktën 4 trilionë dollarë ose më shumë në një periudhë 10-12 vjeçare. Por zoti Obama kundërshton propozimet republikane që parashikojnë ndryshime themelore në programet për kujdesin shëndetësor të të varfërve dhe pensionistëve.

Gjatë aktiviteteve në pjesën perëndimore të vendit, presidenti pranoi se ishte i irrituar nga gjendja e ekonomisë dhe mungesa e përparimit në çështje si reforma në imigracion dhe në politikat energjetike.

Ndërkaq në fjalën që mbajti në një qytet studentor në Virxhinia, presidenti u bëri thirrje të rinjve të mos qëndrojnë pasivë gjatë fushatës zgjedhore të 2012, duke thenë se në atë mënyrë ata do të lejonin shumë grupe të fuqishme me interesa specifike të bënin ç’të donin:

"Nuk mund të lejojmë që ju të qëndroni si spektatorë të thjeshtë në këtë debat. Dua që të gjithë të angazhohen në këtë debat. Dua që ju t’u kërkoni llogari politikanëve në Uashington. Ka mënyra për ta zgjidhur problemin e deficitit në një mënyrë inteligjente që të gjithë në Amerikë të bëhen pjesë e procesit dhe të mbajnë një pjesë të përgjegjësisë. Por nuk mund të pranoj që kjo mundësi të rrezikohet nga mungesa e zërave tuaj në debat”.

Aktivitetet e presidentit këtë javë tërhoqën disa individë shumë të pasur të bazës demokrate. Në Kaliforni morën pjesë një numër drejtuesish të industrisë së filmit dhe yje të Hollivudit, shumë prej të cilëve në gjendje për të dhuruar shumën maksimale të lejueshme prej 35, 800 dollarësh.

Presidenti iu drejtua përkrahësve të tij me fjalët se shpreson që do të përjetojnë një periudhë entuziazmi për 18 muajt e ardhshëm deri në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2012 dhe për katër vjet më pas, siç u shpreh ai.

XS
SM
MD
LG