Lidhje

Obama: Shpenzimet për arsimin të domosdoshme


Obama: Shpenzimet për arsimin të domosdoshme
Obama: Shpenzimet për arsimin të domosdoshme

Presidenti Barak Obama thotë se një nga fushat në të cilat ai nuk do të bëjë kompromis me republikanët janë shpenzimet për arsimin. Republikanët kanë bërë thirrje për shkurtime të ndjeshme të shpenzimeve qeveritare gjatë fushatës së tyre për zgjedhjet e Kongresit muajin e kaluar, por zoti Obama thotë se synon ta sigurojë Amerikën për cilësinë e arsimit. Korrespondeti i Zërit të Amerikës, Niko Kolombant, na informon nga Uashingtoni se në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Obama theksoi se edhe gjatë periudhave të vështira ekonomike, arsimit nuk duhet t’i mungojnë fondet.

"Në një kohë kur shumica e vendeve të reja të punës kërkojnë një farë niveli të arsimit të lartë, kur vendet që kanë sisteme më të mira arsimore se ne sot do të jenë më konkurentë se ne nesër, t’u japim fëmijëve tanë arsimin më të mirë është domosdoshmëri ekonomike”.

Në fillim të kësaj jave, presidenti paraqiti një nismë të përbashkët shtetërore dhe private për të vënë në kontakt studentët e universiteteve me bizneset që kanë vende pune. Presidenti tha dje se propozimet e republikanëve për të shkurtuar shpenzimet për arsimin do ta bënin të vështirë shtimin e numrit të diplomantëve të universiteteve.

"Sepse ata duan shkurtimin e shpenzimeve të arsimit me 20 përqind, gjë që do të sillte pakësimin e ndihmës financiare për 8 milionë studentë”.

Në mesazhin javor të republikanëve, Senatori Xhon Barrozo nga Uajoming u përqendrua në premtimet e parespektuara të Presidentit Obama për të ulur shkallën e papunësisë që vazhdon të jetë e lartë. Ai paraqiti gjithashtu planin e republikanëve për uljen e taksave dhe pakësimin e shpenzimeve federale. Senator Barrozo tha se në vend të rimëkëmbjes ekonomike, amerikanët janë në gjendje alarmi.

"Presidenti premtoi se do ishte financiarisht i përgjegjshëm me taksat tuaja. Por qeveria federale po ndjek një rrugë shkatërrimtare me shpenzime të papërgjegjshme, duke marrë hua dhe shtuar borxhet për brezat e ardhshëm”.

Senatori republikan tha se partia e tij do të luftojë për ndryshme të mëdha në drejtimin e ekonomisë. Repubikanët shpresojnë se zgjedhësit që do të shkojnë në votimet e 2 nëntorit, do t’u japin atyre kontollin e Kongresit që dominohet tani nga Partia Demokrate e Presidentit Obama.

XS
SM
MD
LG