Lidhje

Obama, thirrje për përpjekje më të forta për dialog mes Indisë dhe Pakistanit

  • Zëri Amerikës

Obama, thirrje për përpjekje më të forta për dialog mes Indisë dhe Pakistanit

Obama, thirrje për përpjekje më të forta për dialog mes Indisë dhe Pakistanit

Presidenti amerikan Barak Obama ndodhet në Nju Delhi, pas diskutimit të temës delikate mbi marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Pakistanin gjatë një takimi me studentë indianë në Bombei. Kryeministri indian Manmohan Sin e përshëndeti zotin Obama sapo mbërriti të dielën në aeroportin e kryeqytetit indian, në ndalesën e dytë të turneut të tij 10 ditor në Azi. Dy udhëheqësit do të takohen përsëri në një darkë shtetërore, para se të njoftojnë një seri marrëveshjesh nesër mbi çështje që përfshijnë anti-terrorizmin dhe ndryshimet klimatike.

Megjithëse nuk pati komente zyrtare dhe nuk u shkëmbyen shumë fjalë në aeroport, pati plot përqafime të ngrohta dhe shtrëngime të përzemërta duarsh mes Presidentit Obama, Zonjës së Parë Mishelë Obama dhe Kryeministrit indian Manmohan Sin dhe së shoqes së tij Gursharan Kaur.

Presidenti Obama mbërriti në kryeqytetin indian nën masa të rrepta sigurie që përfshinin praninë në aeroport të mijëra forcave amerikane dhe indiane sigurie.

Gjatë qëndrimit në Nju Delhi, Presidenti Obama do të jetë i ftuar në një darkë shtetërore në nder të tij dhe do të mbajë një fjalim para parlamentit indian.

Në ditën e dytë të turneut, para mbërritjes në Nju Delhi, Presidenti dhe zonja e parë vizituan Kolegjin katolik Shën Xavier në Bombei. Në një diskutim të hapur me studentët, Presidenti u bëri thirrje studentëve të tregohen të guximshëm në ambicjet e tyre dhe të përkushtuar ndaj vizionit dhe potencialit të tyre.

Diskutimet nuk kaluan pa nota politike. Pas pyetjes së një studenteje lidhur me mbështetjen që Amerika i jep Pakistanit, zoti Obama tha se shpreson që dy fuqitë aziatike, India dhe Pakistani, të angazhohen në një dialog konstruktiv mes tyre.

India e konsideron Pakistanin si kërcënim ndaj sigurisë së saj. Janë ende të freskëta kujtimet e sulmeve terroriste të vitit 2008 nga militantë islamikë me bazë në Pakistan.

Presidenti Obama foli për solidaritet nga ana e Shteteve të Bashkuara me viktimat e atyre sulmeve në Bombei, por nuk përmendi në veçanti Pakistanin, një fakt që ka zemëruar disa komentatorë indianë.

India është ndalesa e parë e turneut 10-ditor aziatik të Presidentit Barak Obama.

XS
SM
MD
LG