Lidhje

Obama: SHBA do t’i japin fund misionit luftarak në Irak, siç ishte planifkuar


Megjithëse Iraku tani po përballet me një pasiguri politike pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare dhe sulme me bomba në Bagdat dhe qytete të tjera, presidenti dhe të tjerët në administratën e tij po theksojnë afrimin e përfundimin të misionit luftarak amerikan.

Gjatë një fjalimi në Atlanta të shtetit Xhorxhia për Veteranët me Aftësi të Kufizuara të Amerikës, zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë sipas planifikimeve për të përmbushur premtimin për transferimin e përgjegjësive të sigurisë tek forcat irakiane.

Pak pasi erdha në Shtëpinë e Bardhë njoftova strategjinë tonë të re për Irakun dhe për transferimin e plotë të përgjegjësive tek irakianët. E bëra të qartë se deri me 31 gusht 2010, misioni luftarak amerikan në Irak do të përfundojë. Kjo është ajo që po bëjmë sikurse kemi premtuar.

Presidenti tha se 90 mijë trupa do të kthehen në vend nga Iraku deri nga fundi i gushtit. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara janë në proces të transportimit të miliona mjeteve dhe paisjeve nga Iraku dhe vazhdon të afrohet transferimi i bazave ushtarake tek trupat e qeverisë irakiane.

Prezenca amerikane, tha presidenti Obama, do të kalojë nga drejtimi ushtrak në atë civil, me misionin e përqendruar në trajnimin e forcave irakiane, operacionet e anti-terrorizmit dhe mbrojtjen e personelit civil dhe diplomatik amerikan.

Ndërkohë që dhuna në Irak vazhdon të jetë në nivelet më të ulëta në vite, presidenti foli për problemet duke thënë se terroristët vazhdojnë të mundohen të minojnë arritjet tona. Ai foli rreth sfidave me të cilat përballen forcat irakiane dhe trupat amerikane në misionin e tyre të ri.

Këto janë detyra të vështira. Ka ende nga ata që mundohen të ndalojnë përparimet e Irakut me bomba dhe plumba dhe e vërteta është se ne nuk kemi parë përfundimin e sakrificës amerikane në Irak.

Tensionet politike janë shtuar në Irak sepse parlamenti i ri i sapo zgjedhur ende është i bllokuar mbi zgjedhjen e kryeministrit të ri dhe qeverisë, afro pesë muaj pas zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në muajin mars.

Presidenti Obama foli gjithashtu edhe për Afganistanin, ku forcat amerikane dhe të NATO-s përballen me një kryengritje që po forcohet nderkohë që rritet edhe numri i viktimave, ku muaji korrik ishte më vdekjeprurësi ndonjëherë për trupat amerikane në atë vend.

Presidenti tha se Amerika është e vendosur për të mundur al-Kaidën dhe forcat ekstremiste në Afganistan dhe Pakistan.

Në këtë rajon dhe përtej tij, ne nuk do të tolerojmë baza të sigurta për al-Kaidën dhe aleatët e tyre ekstemistë. Ne do të prishim dhe ç’montojmë bazat e tyre dhe përfundimisht mundim al-Kaidën.

Presidenti përdori një pjesë të mirë të fjalimit të tij për të siguruar veteranët ushtarakë se administrata e tij është e angazhuar që ti ndihmojë ata të kenë kujdes shëndetësor dhe ndihmën që u nevojitet.

Duke ju referuar atyre që i quajti, debate të fuqishme në Amerikë rreth luftës në Irak, zoti Obama tha se nuk ka dallime kur flitet për nevojën dhe mbështetjen për më shumë se një milion amerikanë që sherbyen në Irak.

XS
SM
MD
LG