Lidhje

Obama: Zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez, brenda kufijve të vitit 1967

  • Kent Klajn
  • Zëri Amerikës

Obama: Zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez, brenda kufijve të vitit 1967

Obama: Zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez, brenda kufijve të vitit 1967

Presidenti Barak Obama thotë se një paqe e qëndrueshme mes Izraelit dhe palestinezëve duhet të bazohet mbi ekzistencën e dy shteteve dhe me Izraelin brenda kufijve të vitit 1967, shoqëruar me disa kushte. Në fjalimin që mbajti dje mbi politikën amerikane ndaj Lindjes së Mesme, presidenti u bëri thirrje të dyja palëve të kthehen në tryezën e negociatave:

Presidenti Obama ka shprehur mbështetje për një kërkesë themelore të palestinezëve, që shteti palestinez të krijohet si shtet me kufijtë që kishte si territor para luftës së vitit 1967.

"Kufijtë e Izraelit dhe Palestinës duhet të bazohen në vijën kufitare të vitit 1967 me shkëmbime dypalëshe, në mënyrë që të dyja vendet të kenë kufij të sigurtë dhe të njohur nga pala tjetër”.

Një deklaratë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu e cilësoi ndryshimin në politikën amerikane “të pajustifukueshëm”. Zoti Obama do ta presë sot udhëheqësin izraelit në Shtëpinë e Bardhë, në një takim që pa diskutim pritet të jetë mjaft i tensionuar.

Presidenti do të flasë të dielën para Komisionit Amerikano-Izraelit për Marrëdhënie Publike, organizata më e madhe lobiste pro-izraelite në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkaq, Presidenti palestinez Mahmud Abaz ka kërkuar konsultime urgjente me udhëheqësit arabë lidhur me fjalimin e Presidentit Obama.

Presidenti ia kushtoi pjesën e fundit të fjalimit të tij prej 46 minutash mungesës së përparimit në bisedimet izraelito-palestineze, që kanë ngecur që nga shtatori i kaluar.

"Tani është në dorë të izraelitëve dhe palestinezëve të hidhen në veprim. Paqja nuk mund t’i imponohet asnjërës palë, as nga Shtetet e Bashkuara, as nga ndonjë vend tjetër. Vonesat pa fund nuk e eliminojnë problemin”.

Presidenti foli pa dorashka me të dyja palët. Ai i paralajmëroi palestinezët se “përpjekjet për delegjitimizimin e Izraelit” siç u shpreh ai, do të përfundonin me dështim. Zoti Obama parlajmëroi se gjendja aktuale është e paqëndrueshme dhe Izraeli duhet të tregohet i guximshëm për të çuar përpara procesin e paqes.

Ai tha se çështje delikate si e ardhmja e Jeruzalemit dhe fati i refugjatëve palestinezë ende presin zgjidhje. Presidenti pohoi gjithashtu se ripajtimi i kohëve të fundit mes Fatahut dhe Hamasit përbën një ndëlikim të procesit. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e konsiderojnë Hamasin organizatë terroriste:

"Si mund të negociosh me një palë që e ka treguar veten se nuk është e gatshme të njohë të drejtën tënde për të ekzistuar? Në javët dhe muajt në vazhdim, udhëheqësit palestinezë duhet t’i japin një përgjigje të besueshme kësaj pyetjeje. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara, partnerët e Kuartetit dhe vendet arabe duhet të bëjnë çdo përpjekje për të kapërcyer këtë ngërç aktual”.

Pas fjalimit, Hamasi e akuzoi zotin Obama për mashtrim dhe favorizim të Izraelit.

I dërguari për Lindjen e Mesme, Xhorxh Miçëll, i cili ka njoftuar largimin nga kjo detyrë, ishte ndër zyrtarët që ndoqën fjalimin e Presidentit Obama në Departamentin e Shtetit.

XS
SM
MD
LG