Lidhje

Presidenti Obama, thirrje republikanëve për zgjidhjen e çështjes së borxhit


Presidenti Obama, thirrje republikanëve për zgjidhjen e çështjes së borxhit
Presidenti Obama, thirrje republikanëve për zgjidhjen e çështjes së borxhit

Presidenti Barak Obama zhvilloi dje të parën konferencë për shtyp vetëm, që nga muaji mars. Ai iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për një numër temash që nga Afganistani e Libia, e deri tek ngërçi i krijuar në Kongres lidhur me uljen e deficitit buxhetor dhe ngritjen e nivelit të borxhit kombëtar.

Konferenca e shtypit u zhvillua në një kohë kur anketat e opinionit tregojnë se amerikanët janë të irrituar nga ritmet e ngadalta të mëkëmbjes ekonomike, papunësia e lartë dhe negociatat e vështira mes demokratëve dhe republikanëve për uljen e shpenzimeve qeveritare dhe rritjen e nivelit tavan të borxhit në 14.3 trilionë dollarë.

Zoti Obama forcoi pozitat e tij javën e kaluar, kur republikanët braktisën bisedimet pasi ishin kundër kërkesës demokrate për të eliminuar shkurtimet e taksave për amerikanët e pasur. Presidenti Obama e ka propozuar këtë masë si mënyrë për të balancuar buxhetin.

Deficiti dhe borxhi kombëtar ishin temat dominuese në konferencën për shtyp. Ai e cilësoi qëndrimin republikan si të papërballueshëm, duke shtuar se mundësia që Amerika të mos jetë në gjendje të paguajë detyrimet e borxhit më 2 gusht, do të kishte pasoja të paparashikueshme.

Presidenti reagoi ndaj kritikave të republikanëve se ai nuk ka treguar rol të mjaftueshëm udhëheqës:

“Kur u mbushet mendja se diçka nuk shkon dhe duhet marrë një vendim, ngrihen në këmbë e thonë ‘Presidenti duhet ta bëjë këtë’. Tani republikanët duhet të bëjnë punën e tyre. Tani ka ardhur koha që ata të bëjnë zgjedhje të vështira. Prandaj quhen udhëheqës”.

Po dje në Senat, udhëheqësi i pakicës republikane Miç Mekonell, i cili u takua me zotin Obama këtë javë, i kritikoi demokratët duke thënë se objektivi kryesor është të rriten shpenzimet qeveritare.

“Demokratët shpenzojnë përtej mundësive dhe tani presin që taksapaguesit t’i shpëtojnë. Pikërisht ky është thelbi i debatit. Çështja është që Uashingtoni të tregohet i përgjegjshëm”.

Konferenca për shtyp e presidentit u mbajt një javë pasi ai deklaroi se do të fillojë tërheqjen e trupave nga Afganistani dhe ndërkohë që vazhdojnë betejat në Kongres lidhur me arsyetimin ligjor për angazhimin amerikan në operacionet amerikane në Libi.

Lidhur me Afganistanin, zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë të suksesshme në goditjen ndaj udhëheqjes së al-Kaidës dhe shkallëzimin e stërvitjes së forcave qeveritare afgane.

Mbi temën e Libisë dhe debatin për konsultimet me Kongresin mbi angazhimin ushtarak amerikan në këtë vend, zoti Obama ritheksoi qëndrimin e tij se nuk ka shkelur Rezolutën e vitit 1973 pasi operacionet amerikane janë “të kufizuara në kohë dhe objektiv”.

Presidentit iu drejtua pyetja nëse amerikanët duhet të përgatiten për operacione të gjata ushtarake në Libi dhe çfarë konsiderohet si sukses:

“Nuk ka dyshim që largimi i udhëheqësit libian Gadafi nga pushteti, nga pikëpamja e komunitetit ndërkombëtar do të jetë mënyra parësore që mund të garantojmë se misioni i përgjithshëm i popullit libian do të mbrohet”.

Zoti Obama iu përgjigj edhe një pyetjeje për martesat mes homoseksualëve, në një kohë kur Nju Jorku miratoi ditët e fundit një ligj që lejon këto martesa.

Presidenti tha se është kundër diskriminimit bazuar në preferencat seksuale dhe se administrata e tij ka bërë më shumë për ta eliminuar këtë diskriminim krahasuar me të gjithë 43 presidentët e mëparshëm amerikanë.

XS
SM
MD
LG