Lidhje

Presidenti Obama intensifikon mesazhet katër muaj para zgjedhjeve të Kongresit

  • Dan Robinson

Më pak se katër muaj para zgjedhjeve për në kongresin amerikan, presidenti Obama po u kundërpërgjigjet me forcë republikanëve dhe kritikave të tyre për politikat e tij ekonomike. Zoti Obama po e bën të qartë se gjatë muajve të ardhshëm ai synon ta intensifikojë ballafaqimin me republikanët për të cilët ai thotë se po mbajnë qëndrim pengues. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dan Robinson njofton nga Shtëpia e Bardhë.

Javën e kaluar Presidenti Obama përfundoi një serë udhëtimesh në shtetet ku kandidatët e partisë së tij, përfshi udhëheqësin e shumicës në Senat, Harry Reid, përballen me sfida të vështira nga republikanët. Në Nevada dhe më parë në Mizuri, presidenti u përqëndrua në hapat e marrë nga administrata e tij për të riparuar dëmet ekonomike dhe për të zgjidhur problemin e papunësisë së lartë duke theksuar vazhdimisht se kriza financiare dhe recesioni filluan kur republikanët ishin në Shtëpinë e Bardhë.

Toni i presidentit është ashpërsuar, duke u dalluar nga ai lloj pasioni dhe retorike që ai përdori me shumë efektivitet gjatë fushatës presidenciale ku mposhti kandidatin republikan John McCain. Kështu në Mizuri, deklaratat e tij në mbështetje të kandidatit demokrat për në senatin amerikan Robin Carnahan dhanë tablonë që ai po përpiqet të skicojë për votuesit para zgjedhjeve të nëntorit. Zoti Obama i cilësoi republikanët si partinë e mohimit, që thotë gjithmonë “jo” e që ka refuzuar të punojë me të për të zgjidhur problemet madhore të vendit.

"Ata kujtojnë se po të vazhdojnë të thonë 'jo' kjo do t’u sjellë përfitime, se do të mund të marrin votat në nëntor pasi në se Obama humbet, fitojnë ata. Republikanët thonë – në se e ndalin presidentin, do të duken më mirë. Por kjo nuk është mënyra për ta drejtuar vendin dhe për ta nxjerr nga problemet me të cilat ndeshet. Kjo mënyrë na çon pas. Ne duhet të ecim përpara".

Ndërsa vazhdojnë të dënojnë politikat ekonomike të presidentit Obama, republikanët nuk kanë fituar nga deklaratat e disa anëtarëve të rëndësishëm në Kongres gjatë javëve të fundit. Në një intervistë për gazetën Tribune-Review, udhëheqësi republikan në Dhomën e Përfaqësuesve John Boehner bëri këtë deklaratë rreth projekt-ligjit të reformës së sistemit financiar që pritet të miratohet së shpejti.

“Kjo është si të vrasësh një mizë me një bombë bërthamore”.

Në Mizuri dhe në ndalesën e mëparshme në Wisconsin, presidenti iu referua deklaratave të bëra nga zoti Boehner si shembull i asaj që republikanët nuk i kuptojnë shqetësimet me të cilat përballen amerikanët.

"Ai thotë se nuk kemi nevojë për të gjitha këto. Ai thotë se është njësoj si të përdorësh armën bërthamore për të vrarë një mizë. Krizën më të rëndë që nga periudha e Depresionit të Madh ai e quan mizë. Kjo është për t’u bërë film me titull – Miza që hëngri ekonominë”.

Zoti Boehner dhe kolegu i tij republikan, Joe Barton i cili sugjeroi në qershor se Shtëpia e Bardhë po e çonte kompaninë e naftës BP në kapitullim duke i kërkuar të krijonte një fond kompensimi prej 20 miliardë dollarësh, më pas publikoi një sqarim. Dëmet nga deklaratat e republikanëve i kanë dhënë presidentit municion shtesë ndërsa ai intensifikon fushatën në mbarë vendin para zgjedhjeve të nëntorit.

Në një fushatë për drejtuesin e shumicës në Senat, Harry Reid, i cili po lufton një betejë të ashpër në Nevada kundër një kundërshtari republikan, presidenti Obama iu referua të shkuarës së senatorit Reid si boksier i cili ka ditur si ta presë një goditje dhe që gjithmonë ua ka dalë kundërshtarëve.

Zoti Obama duket se kërkon të bëjë një krahasim mes garës në Nevada dhe përpjekjeve të tij për të riparuar ekonominë në kushtet e asaj që ai e quajti politikë destruktive nga republikanët. Është e paqartë nëse do të ketë ndonjë përmirësim nga tani deri në zgjedhjet e nëntorit në vlerësimin e publikut amerikan për punën e presidentit, që ka qënë përgjithsësisht në shifrat e 40 përqindësisht.

Një anketë e re nga revista The Economist tregon se 52 përqind e amerikanëve nuk janë dakort me punën që po bën presidenti. Anketa të tjera tegojnë se amerikanët vazhdojnë të jenë skeptik rreth efektshmërisë së programit të mëkëmbjes ekonomike.

XS
SM
MD
LG