Lidhje

Obama: Angazhimi i Amerikës ndaj lirisë së fesë duhet të jetë i patundur

  • Zëri Amerikës

Presidenti Barak Obama mbështeti ndërtimin e një xhamie dhe qendre kulturore myslimane pranë vendit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork, megjithë debatin e nxehtë që po zhvillohet në vend për këtë çështje. Gjatë një darke të shtruar mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë me rastin e Ramazanit, Presidenti Obama tha se myslimanët kanë “të drejtën të ndërtojnë objektet e tyre të lutjeve dhe qendrën e kumunitetit në një pronë private në Manhatanin e Poshtëm”.

Presidenti Obama tha se angazhimi i Amerikës ndaj lirisë së fesë duhet të jetë i patundur. Ishte hera e parë që presidenti shprehte pikëpamjen e tij për propozimin kundërthënës, të kundërshtuar nga rreth 70% e amerikanëve, sipas një sondazhi të kohëve të fundit të kanalit televiziv CNN.

“Si president dhe si qytetar, unë besoj se myslimanët kanë të drejtë të praktojnë fenë e tyre si çdo njeri tjetër në vend. Dhe kjo përfshin të drejtën për të ndërtuar një objekt kulti dhe një qendër komuniteti në një pronë private në Mahatanin e poshtëm në përputhje me ligjet lokale. Kjo është Amerika dhe përkushtimi ynë ndaj lirisë fetare duhet të jetë i palëkundur. Parimi se njerëzit e të gjitha besimeve janë të mirëpritur në këtë vend dhe se ata nuk do të trajtohen ndryshe nga qeveria e tyre është me rëndësi thelbësore që përcakton se cilët jemi ne,” tha zoti Obama.

Republikanët iu përgjigjën menjëherë deklaratës së presidentit. Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve nga Nju Jorku, Pitër King, tha se “Presidenti Obama e ka gabim”. Ai tha se zbatimi i këtij plani është një veprim emocionalisht i papërshtatshëm dhe i pakujdesëshëm.

Rreth 3000 njerëz u vranë kur rrëmbyes avionësh, anëtarë të al-Kaidës përplasën dy avionë udhëtarësh në kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë. Ky vend i qytetit njihet tani me emrin “kuota zero”.

XS
SM
MD
LG