Lidhje

Komentet e Presidentit Obama ndezin më tej polemikat për qendrën islamike


Presidenti Barak Obama ka ngjallur polemika të ndezura politike me komentet e tij për të drejtat e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar një qendër islamike dhe një xhami pranë kuotës zero, objektivi i sulmeve terroriste të vitit 2001 në Nju Jork. Administrata fillimisht e prezantoi këtë si një çështje e autoriteteve lokale, deri në momentin kur Presidenti bëri komente në mbrëmjen vjetore të Iftarit që organizoi Shtëpia e Bardhë me rastin muajit të Ramazanit.

Presidenti Obama ka filluar një turne intensiv me ndalesa në pika të ndryshme të vendit, duke folur për ekonominë dhe duke bërë fushatë për demokratët në përgatitje për zgjedhjet e nëntorit për Kongres. Ekspertët politikë thonë se këto vizita janë shumë të nevojshme për të zhvendosur vëmendjen e publikut nga komentet e tij të fundit.

Të premten, presidenti komentoi mbi planet për të ndërtuar një xhami 2 blloqe larg vendit ku ngriheshin kullat binjake në Nju Jork.

“Myslimanët kanë të drejtën të praktikojnë besimin e tyre si kushdo tjetër në këtë vend. Këtu përfshihet edhe e drejta për të ngritur një vend lutjesh dhe një qendër komuniteti në një truall privat në Manhatan”.

Këto komente provokuan një stuhi politike. Një anketë e CNN tregon se afro 70 për qind e amerikanëve janë kundër ngritjes së xhamisë, megjithëse projekti ka marrë miratimin e autoriteteve bashkiake në Nju Jork.

Republikanët e akuzojnë zotin Obama se nuk e njeh realitetin e amerikanëve. Senatori më i lartë demokrat Harry Reid, i gjendur përballë një rivali të fortë në zgjedhjet e nëntorit, i kundërshtoi planet:

“Është e qartë se xhamia duhet ndërtuar diku tjetër”.

Në qendër të debatit është amendamenti i parë i Kushtetutës amerikane, i cili garanton lirinë e besimit. Por amerikanët janë bërë tepër të ndjeshëm në rastet kur këto të drejta ndërthuren me tragjedinë e 11 shtatorit 2001.

John Farina shkroi një libër me përsiatje spirituale, një muaj pas sulmeve. Ai thotë se synimi i Presidentit të premten ishte të theksonte lirinë e besimit.

“Ne besojmë në idealet tona, edhe në rastet kur nuk na shkojnë për shtat. Asnjeri nuk e kundërshton këtë thënie. Është mesazh i mrekullueshëm. Por amerikanët nuk e analizojnë në këtë mënyrë komentin e Presidentit”.

Dje, një grup klerikësh folën mbi këtë çështje:

“Liria e besimit ekziston në një farë mase për të mbrojtur të drejtat e pakicës nga veprimet e shumicës. Faktikisht nuk do të ishte e tepruar të thonim se po të bazoheshin themeluesit e kombit tek anketat e opinionit, nuk do të kishte ekzistuar fare amendamenti i parë”.

Steven Taylor është pedagog i politikave shtetërore në Universitetin Amerikan në Uashington. Ai parashikon se komentet e Presidentit Obama do të shfrytëzohen kundër demokratëve në reklamat për fushatë:

“Një pjesë e mirë e publikut nuk di të bëjë dallimin mes Islamit të moderuar, Al-Kaidës dhe atyre që nuk i përkasin Al-Kaidës. E vetmja gjë që shohin është faktin që një grup myslimanësh rrëzuan Qendrën Botërore të Tregtisë, që myslimanët vranë mijëra vetë dhe presidenti tani po mbron të drejtat e myslimanëve për ta bërë këtë”.

Zoti Taylor thotë se synimi i Presidentit Obama mund të ketë qenë për të përmirësuar marrëdhëniet me myslimanët në vende të tjera, por kjo mund t’i kushtojë atij votat e amerikanëve në vend.

XS
SM
MD
LG