Lidhje

Izraeli vazhdon zgjerimin e vendbanimeve në Jeruzalemin Lindor


Izraeli i dha miratimin përfundimtar ndërtimit të 20 banesave të reja në Jeruzalemin Lindor, një lëvizje kjo që komplikon më tej përpjekjet për të zbutur tensionet me Shtetet e Bashkuara.

Njoftimi u bë dje në mbrëmje ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u takua me presidentin amerikan Barak Obama në Shtëpinë e Bardhë për të zgjidhur mosmarrëveshjen lidhur me planet izaelite të ndërtimeve në Jeruzalemin Lindor.

Shtëpia e Bardhë nuk bëri asnjë deklaratë dhe nuk lejoi që takimi të fotografohej, diçka e pazakontë kjo për vizitën e një aleati të ngushtë të Shteteve të Bashkuara. Këshilltarët e të dy udhëheqësve do të vazhdojnë bisedimet sot.

Administrata Obama e dënoi Izraelin në fillim të këtij muaji për njoftimin e planeve se do të ndërtojë 1,600 banesa për hebrejtë në Jeruzalemin lindor, të cilin palestinezët e quajnë kryeqyteti i tyre i ardhshëm.

Zyrtarët izraelitë minimizuan njoftimin e fundit për ndërtimin e 20 apartamenteve në vendin e një hoteli të vjetër duke e quajtur këtë lëvizje një hap procedurial në një projekt që teknikisht është miratuar vitin e kaluar.

XS
SM
MD
LG