Lidhje

Administrata Obama, pozitive për të ardhmen e operacioneve në Libi


Administrata Obama, pozitive për të ardhmen e operacioneve në Libi
Administrata Obama, pozitive për të ardhmen e operacioneve në Libi

Zyrtarët e administratës së Presidentit Barak Obama shprehen të bindur se veprimet amerikane dhe të NATO-s në Libi do t’i japin fund regjimit të Moamar Gadafit në atë vend. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Xhej Karni nuk i konfirmoi, por as nuk i mohoi komentet e Sekretares së Shtetit Hillari Klinton se njerëz të afërt me udhëheqësin libian Moamar Gadafi kanë ofruar hapjen e negociatave për largimin e tij nga pushteti.

Zoti Karni tha ndërkohë se politikat e administratës Obama po ndihmojnë për largimin e Gadafit nga pushteti:

"Politikat që kemi ndjekur qoftë nga ana jonë, ose në bashkëpunim me partnerët tanë po japin rezultatin e dëshiruar, duke shtuar presionin ndaj regjimit të Gadafit, duke ua bërë të qartë njerëzve që ka përreth se i kanë ditët e numëruara, se po bëjnë një zgjedhje shumë të qartë nëse qëndrojnë me Gadafin, pasi nuk do ta kenë më nën kontroll Libinë në të ardhmen”.

Zëdhënësi Karni u tha gazetarëve dje se Shtëpia e Bardhë ka besim se pjesëtarë të rrethit të ngushtë të Gadafit do të vazhdojnë të largohen:

"Kemi vërejtur një numër largimesh. Nuk po përpiqem të aludoj ndonjë gjë, por mendoj se do të ketë zyrtarë të tjerë që do të largohen pasi Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë vazhdojnë t’u përmbahen politikave që kemi ndjekur prej disa muajsh”.

NATO-ja ka rritur numrin e operacioneve bombarduese në zonën e Tripolit gjatë ditëve të fundit.

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton bëri komente në Emiratet e Bashkuara Arabe. Më shumë se 20 vende të mbledhura atje u zotuan dje të ofrojnë 1 miliard dollarë për të ndihmuar këshillin opozitar të Libisë dhe libianët e prekur nga luftimet në vend.

Në Shtëpinë e Bardhë, Xhej Karni nuk tha nëse Shtetet e Bashkuara do ta njohin zyrtarisht Këshillin Kombëtar Tranzitor si qeverinë e Libisë. Megjithatë, ai tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin përpjekjet globale për të përkrahur këtë grup financiarisht.

Po dje, drejtori i CIA-s Leon Paneta tha para Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura se forcat opozitare në Libi kanë shënuar përparim në lindje dhe perëndim dhe se qeveria e Gadafit po dobësohet.

Zoti Paneta është propozuar për postin e Sekretarit të Mbrojtjes dhe po jepte dëshmi në senacën për konfirmimin e kandidaturës së tij.

XS
SM
MD
LG