Lidhje

Obama në Youtube mbi sfidat e brendshme e ndërkombëtare të vendit

  • Dan Robinson

Obama në Youtube mbi sfidat e brendshme e ndërkombëtare të vendit

Obama në Youtube mbi sfidat e brendshme e ndërkombëtare të vendit

Presidenti Barak Obama shfrytëzoi një paraqitje në faqen YouTube për të folur rreth sfidave të brendshme e ato ndërkombëtare me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara. Zoti Obama komentoi edhe për valën e protestave në vendet e Lindjes së Mesme.

Protestat që filluan në Tunizi, ku detyruan presidentin e vendit të largohej nga pushteti, janë përhapur tani në Egjipt, përfshirë kryeqytetin Kajro dhe qendra më të vogla. Policia egjiptiane është përleshur prej ditësh me demonstruesit antiqeveritarë.

Protestat shpërthyen edhe në Jemen, ku mijëra vetë demonstruan në kryeqytetin Sana, duke kërkuar largimin e Presidentit Ali Abdallah Saleh.

Dje, zoti Obama shfrytëzoi një rrjet shoqëror në internet për të komentuar mbi protestat në Lindjen e Mesme.

Presidenti vlerësoi Egjiptin si aleat të afërt dhe faktor të rëndësishëm në përpjekjet për paqen në Lindjen e Mesme, por tha se ia kishte theksuar personalisht Presidentit Hosni Mubarak rëndësinë e përparimit në reforma politike dhe ekonomike.

“Është shumë e rëndësishme që njerëzit të kenë mekanizmat për të shprehur ankesat e tyre legjitime. Siç thashë edhe në fjalimin mbi gjendjen e vendit, ka disa vlera thelbësore që ne si amerikanë besojmë se janë universale: liria e fjalës, liria e shprehjes, që njerëzit të mund të përdorin rrjetet shoqërore ose çfarëdo mekanizmi tjetër për të komunikuar me njëri-tjetrin dhe për të shprehur shqetësimet e tyre”.

Zoti Obama iu përgjigj dy pyetjeve lidhur me Afganistanin dhe Irakun, përfshirë pyetjen e një gruaje se pse presidenti mendonte që ishte e rëndësishme për amerikanët të vdisnin në këto dy vende.

Ai tha se luftës në Irak po i vjen fundi me nder si rezultat i shërbimit të trupave amerikane.

Për sa i përket Afganistanit, ai përsëriti objektivin për të mposhtur e shpërbërë al-Kaidën dhe aleatët e saj në Afganistan dhe Pakistan dhe për t’ia kaluar kontrollin qeverisë afgane deri në vitin 2014.

“Gjendja nuk do të jetë e përkryer por ne kemi arritur të dobësojmë vazhdimisht aftësinë e al-Kaidës për të kryer operacione dhe parashikojmë të dëmtojmë kapacitetin e tyre veprues gjatë viteve të ardhshme”.

Presidenti Obama përdori paraqitjen në YouTube edhe për të nënvizuar temat që preku në fjalimin mbi gjendjen e vendit të martën, duke folur për ngritjen e aftësive konkurruese të Shteteve të Bashkuara përmes më shumë investimeve në teknologji dhe arsim.

Ai po ashtu u bëri thirrje republikanëve të punonin me të për të zgjidhur çështjen e borxhit kombëtar prej 14 trilion dollarësh dhe atë të deficitit qeveritar.

XS
SM
MD
LG