Lidhje

BP bën një përpjekje të dytë për të pompuar naftën në një cisternë në sipërfaqe

  • Zëri Amerikës

Inxhinierët e kompanisë "British Petroleum" kanë ndërmarrë një përpjekje të dytë sot me anë të një tubi dy kilometrash për të thithur naftën nga gryka e pusit që rrjedh në Gjirin e Meksikës, të shkaktuar nga shpërthimi i një platforme nafte më 20 prill.

Tubi nuk do të bllokojë rrjedhën, por do të shërbejë për ta nxjerrë naftën në sipërfaqe për cisternat lundruese. BP tha dje se përpjekja e parë nuk u realizua pasi rrymat e ujrave zhvendosën strukturën mbajtëse të tubit në tabanin e detit.

Ndërkaq, studjuesit e Institutit Kombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë së Nënujit thanë se kanë zbuluar xhepa të mëdha nafte në ujrat e Gjirit të Meksikës, duke lënë të kuptohet se rrjedha mund të jetë shumë më e rëndë nga sa llogaritej më parë.Që nga shpërthimi i platformës, në Gji janë derdhur qindra mijëra litra naftë.

Administrata e presidentit Obama ka kërkuar “sqarime të menjëhershëm” nga kompania gjigande "British Petroleum" rreth angazhimeve të saj për të paguar dëmet e shkaktuara nga rrjedha masive e naftës në Gjirin e Meksikës.

Në një letër drejtuar shefit ekzekutiv të kompanisë BP, Tony Hayward, Sekretari i Brendëshëm Ken Salazar dhe Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Janet Napolitano thonë se publiku “gëzon të drejtën të informohet për angazhimin e BP”.

Në letrën e 14 majit vihet në dukje një deklaratë e zyrtarëve të BP që thotë se kompania do të paguajë koston e pastrimit të ujrave të Gjirit të Meksikës dhe dëmet e shkaktuara nga rjedhja, edhe nëqoftëse kostoja e kalon shumën e sikuracionit prej 75 milion dollarësh të parashikuar në Aktin për Ndotjen nga Nafta.

XS
SM
MD
LG