Lidhje

Njolla e naftës në Gjirin e Meksikës kërcënon mjedisin dhe ekonominë lokale


Presidenti Barak Obama pritet të vizitojë këto ditë Gjirin e Meksikës për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga nafta e derdhur në rajon dhe për t’u njohur me masat në përgjigje të incidentet. Ekipet e specializuara vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll njollën e naftës që po lëviz në Gjirin e Meksikës. Është mbushur një javë tashmë që nga shpërthimi në platformën e shpimeve në det të kompanisë British Petroleum. Shpërthimi solli fundosjen e platformës me një kosto ende të pallogaritshme për mjedisin dhe ekonominë lokale:

Njolla e naftës së derdhur është aq e madhe sa mund të shihet nga hapësira. Presidenti Barak Obama ka thënë se do të shqyrtojë rezultatet e një analize mbi incidentin brenda 30 ditësh për të parë si mund të parandalohen probleme të tilla në të ardhmen.

Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se nuk do të ketë platforma të reja për shpime në det. Ky vendim merret, pasi Presidenti Obama kishte njoftuar heqjen e moratoriumit për shpime të reja në det, për të rritur nxjerrjen e naftës në vend:

“Vazhdoj t’i përmbahem bindjes se prodhimi në vend është një pjesë e rëndësisshme e strategjisë sonë të përgjithshme për siguri energjetike, por e kam theksuar vazhdimisht se kjo duhet realizuar në mënyrë të përgjegjshme kundrejt sigurisë së punëtorëve dhe mjedisit tonë”.

Për ditë me radhë, British Petroleum vazhdon përpjekjet për të vënë nën kontroll njollën e naftës, por erërat e forta i kanë vështirësuar operacionet.

Admiralja e Rojes Bregdetare Salli Brice O’Hara është vënë në krye të përgjigjes qeveritare ndaj incidentit:

“Do të vazhdojmë operacionet në sipërfaqe, duke përdorur kimikate për neutralizimin e naftës, mbledhjen e naftës nga sipërfaqja e ujit dhe djegie të kontrolluara, por gjatë dy ditëve të fundit si mbledhja e naftës edhe djegiet janë penguar nga moti i keq dhe do t’i pezullojmë për dy ditë”.

Roja Bregdetare thotë se janë dislokuar mbi 50 mijë metër barriera plastike për të mos lejuar që nafta të afrohet pranë bregut. Presidenti Obama thotë se mbi 300 mjete lundrimi dhe fluturimi janë angazhuar për të kontrolluar përhapjen e naftës. Sipas ekspertëve, afro 800 mijë litra naftë e papërpunuar vazhdon të rrjedhë çdo ditë në Gjirin e Meksikës. Për të ndalur rrjedhjen, një ndër opsionet që po shqyrtohen është të hapen puse të reja që të ulin presionin e naftës nga rezervat nëntokësore dhe të mbyllet rrjedhja. Por kjo alternativë mund të kërkojë 90 ditë për shpimin e puseve të reja.

“Jemi përgatitur për skenarin më të keq që nga dita e parë,” tha Sekretarja e Sigurimit Kombëtar Xhanet Napolitano, e cila vizitoi dje rajonin.

Njolla e naftës mbërriti të enjten në breg. Ekspertët e mjedisit shqetësohen se dëmet mund të jenë më të rënda se ato të shkaktuara nga fundosja e çisternës Exon Valdez në brigjet e Alaskës në 1989.
Mark Davis është Drejtor i Institutit për Burime Ujore në Universitetin Tulane:

“Është një tjetër lloj nafte, një tjetër lloj bregdeti. Kënetat tona mund ta përballojnë një pjesë të ndotjes, por gjallesat nuk munden. Ata do të humbin mjediset e jetesës, nuk mund të riprodhohen, nuk mund të ushqehen dhe, një tjetër pikë e rëndësishme, ato gjallesa që mbijetojnë nuk do të kenë vlerë për tregun”.

Kevin Hire dhe banorë të tjerë të zonës sigurojnë jetesën me karkalecat e detit, gaforret e midhjet që peshkojnë. Ata ndjehen të irrituar me këtë situatë pa një përfundim të qartë:

“Nuk do të ketë më peshkatarë gaforresh, nuk do të ketë më punë. S’ke ç’bën, duhet të ndryshojmë mënyrën e jetesës”.

Për momentin, peshkatarët po punojnë me intensitet për të peshkuar ç’të munden para se njolla e naftës të arrijë pranë bregut.

XS
SM
MD
LG