Lidhje

BP do të përdorë një metodë të re për bllokimin e naftës pas dështimit të "top kill"

  • Nico Colombant

Kompania energjitike British Petroleum njoftoi se përpjekja e fundit për të ndalur rrjedhjen e naftës në Gjirin e Meksikës ka dështuar. Një nga drejtuesit e kompanisë thotë se një metodë e re do të përdoret tani në përpjekje për të ngadalësuar rrjedhjen më masive të naftës në historinë e Shteteve të Bashkuara. Pas njoftimit të BP-së, Presidenti Barak Obama nxorri një deklaratë ku thuhej se qeveria do të përdorë gjithë mënyrat e përgjegjshme për të ndalur derdhjen.

Drejtuesi i British Petroleum, Dag Satëlls tha se manovra e fundit e njohur si “top-kill”, me të cilën hidheshin lëngje të dendura dhe baltë në pus, kishte dështuar.

“Pasi provuam për tri ditë këtë metodë, nuk ishim në gjendje ta frenojmë rrjedhjen nga pusi. Kështuqë tani besojmë se është koha që të kalojmë tek një alternativë tjetër”.

Metoda e re parashikon prerjen e pjesës së dëmtuar të pusit dhe frenimin e rrjedhjes me një valvul. Satëlls thotë se do të duhen katër ditë për ta çuar deri në fund këtë metodë por shtoi se nuk kishte garanci për sukses.

Zyrtarët e qeverisë amerikane vlerësojnë se 70 deri në 150 milionë litra naftë janë derdhur në Gjirin e Meksikës dhe në brigjet përreth tij në Luiziana që kur shpërtheu pusi që shkaktoi vdekjen e 11 punëtorëve më 20 prill.

Metoda të tjera që ka përdorur BP për ndaljen e dëmeve të mëtejshme ndaj mjedisit përfshijnë vendosjen e një kutie gjigande vendosur mbi vendin nga ku rrjedh nafta dhe futjen e një tubi për të nxjerrë naftën.

Mes zemërimit publik, si në zonat e prekura, ashtu edhe në internet, si edhe kritikave të ashpra, Satëlls e pranoi se ishte i shqetësuar.

“Të gjithë janë të frikësuar që nuk po mund ta ndalojmë rrjedhjen e këtin pusi, apo që nuk kemi pasur sukses deri tani. Ne i kemi kushtuar burime të pafundme këtij objektivi, kemi mbledhur mendjet më të zgjuara nga gjithë bota, qeveria dhe industria. Ne jemi përpjekur t’u themi njerëzve që në fillim që kemi alternativa të ndryshme që po i ndjekim paralelisht sepse nuk e dimë se cila do të funksionojë”.

Satëlls tha se sfida më e madhe është se shpërthimi ndodhi 1 mijë e 500 metra nën ujë dhe asnjë nga manovrat që po përdorim ne nuk është provuar ndonjëherë në një thellësi kaq të madhe.

BP po punon edhe për një zgjidhje afatgjatë për të ndalur derdhjen, që përfshin shpimin e puseve të ashtuquajtura të lehtësimit, por ekspertët thonë se procesi mund të zgjesë deri tre muaj të tjerë.

Edhe qeveria amerikane është kritikuar se nuk ka bërë sa ç’duhet. Një përfaqësues i rojës bregdetare, Admiralja Meri Lendri tha se ishte shumë e zhgënjyer nga dështimi i metodës top-kill. Ajo tha se qeveria po punonte pa pushim për të ndalur efektet e derdhjes.

Ajo tha se rreth 170 kilometra bregdet janë prekur tashmë nga rrjedhja. Ajo paralajmëroi gjithashtu se në rajon po mbërrin sezoni i ri i uraganëve, gjë që mund ta ndërlikojë edhe më shumë situatën.

XS
SM
MD
LG