Lidhje

Një komision i pavarur, i mandatuar nga presidenti Obama do të hetojë shkaqet e rrjedhjes së naftës

  • Zëri Amerikës

Presidenti Barak Obama thotë se një ekip i pavarur do të hetojë shkaqet e rrjedhjes së naftës në Gjirin e Meksikës, për t’u siguruar që SHBA të mos përballet më asnjëherë me një fatkeqësi të kësaj natyre.

Presidenti Obama u takua sot në Washington me bashkëkryetarët e një komisioni të pavarur të krijuar për hetimin e rrjedhjes nga pusi i naftës. Ata janë Bob Graham, ish-guvernator i Floridës dhe senatori amerikan William Reilly, ish-kryetar i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit.

Duke folur pas takimit, zoti Obama tha se do t’u bëhen ndryshime ligjeve dhe rregullave qeveritare lidhur me industrinë e naftës. Ai tha se të gjithë që kanë vuajtur pasojat e rrjedhjes së naftës meritojnë një hetim të hollësishëm dhe se drejtuesit e Komisionit të krijuar për këtë çështje kanë mbështetjen e tij gjatë kërkimit të fakteve, kudo që ato të çojnë.

Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Erik Holder shkon po sot në Gjirin e Meksikës për të mbikqyrur dëmin e shkaktuar nga rrjedhja e pusit të naftës, para fillimit ndoshta të një hetimi për këtë incident. Zoti Holder do të takohet me prokurorë federalë dhe zyrtarë të tjerë për të marrë një vendim nëse rrjedhja e naftës duhet hetuar si një çështje penale.

XS
SM
MD
LG