Lidhje

Shtëpia e Bardhë ka besim se BP do të arrijë të bllokojë rrjedhjen e naftës


Shtëpia e Bardhë ka besim se BP do të arrijë të bllokojë rrjedhjen e naftës
Shtëpia e Bardhë ka besim se BP do të arrijë të bllokojë rrjedhjen e naftës

Kompania BP thotë se parashikon të vendosë një kupolë të re frenimi mbi pusin e naftës që mund ta pakësojë në mënyrë të konsiderueshme rrjedhjen e naftës në Gjirin e Meksikës.

Shefi i Operacioneve të kompanisë, Doug Suttles u tha gazetarëve se punonjësit janë fare pranë vendosjes së kupolës së re. Ai tha se pasi ajo të vendoset, BP-ja do të bëjë prova për presionin e ajrit brenda pusit për të parë nëse kupola e bllokon krejtësisht rrjedhjen e naftës.

Suttles thotë se BP-ja duhet të mbarojë shpimin e puseve të tjera për të çliruar naftën me qëllim që ta bllokojë në mënyrë të përhershme pusin e dëmtuar të naftës. Pusi i parë ndihmues nuk pritet të jetë gati para mesit të gushtit.

Ai tha gjithashtu se anija që po mbledh naftë Helix Producer pritet që të fillojë të grumbullojë naftën që po rrjedh nga pusi i dëmtuar të hënën.

Pusi i çarë ka derdhur deri në 60 mijë fuçi nafte në ditë që nga fundi i prillit. Është rrjedhja më masive e naftës në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe ka ndotur pjesë të mëdha të brigjeve të gjirit, si edhe ka shkaktuar ngordhjen dhe plagosjen e shpendëve dhe gjallesave detare dhe ka shkaktuar pasoja katastrofike për peshkimin, turizmin dhe industri të tjera në shtetet pranë Gjirit.

Një këshilltar i lartë i Presidentit amerikan Barak Obama thotë se është i bindur që kompania British Petrolium do t’ia dalë mbanë në përpjekjen më të fundit për të ndalur rrjedhjen e naftës në Gjirin e Meksikës. Kompania BP thotë se po bën përparim në vendosjen e një kapaku mbi pusin nënujor nga ku ka rrjedhur naftë për gati tri muaj.

Këshilltari i zotit Obama, Dejvid Akselrod, tha se Shtëpia e Bardhë beson që me vendosjen e sistemit të ri nga kompania BP, do të shënohet përparim në ndalimin e rrjedhjes së naftës.

“Kur të vënë kapakun e ri, ata do të zgjerojnë kapacitetin për grumbullimin e naftës në 80 mijë fuçi në ditë”.

Zoti Akselrod i bëri këto komente në programin televiziv “Fox News Sunday”.

“Shpresojmë që nga fundi i korrikut të ndalojmë tërë naftën që po del nga ky pus. Por është e qartë se për ta mbyllur atë do të duhet më shumë kohë. Qëllimi është që të ndalohet rrjedhja e naftës në ujrat e Gjirit të Meksikës”.

Që prej fillimit të kësaj katastrofe për mjedisin më 20 prill, nafta ka ndotur sipërfaqe të mëdha në Gjirin e Meksikës, duke rrezikuar jetën e shpendëve dhe gjallesave të detit. Ajo është bërë pengesë edhe për turizmin, peshkimin dhe veprimtaritë e tjera rajonale. Deri sa të vendoset kapaku i ri, nafta pritet të rrjedhë nga pusi në sasi prej së paku 60 mijë fuçish në ditë.

Të shtunën, nëndetëset robotike hoqën kapakun e vjetër që ishte vendosur aty për të grumbulluar naftën në fillim të qershorit. Kapaku i ri që është më i sigurt, mund të vendoset qysh sot.

Këtë fundjavë, nënkryetari i kompanisë BP, Kent Uells, tha se ishte i kënaqur me përparimin e bërë. Por ai tërhoqi vërrejtjen se sfidat do të ishin të pranishme. BP thotë se shpreson që vendosja e kapakut të zgjasë nga tri deri në gjashtë ditë. Kompania gjithashtu po shpon dy puse të tjera për të ulur presionin e rrjedhjes në pusin kryesor. Puna në njërin nga këto puse pritet të mos përfundojë të paktën deri nga mesi i muajit të ardhshëm.

Ekspretët tërheqin vërejtjen se stina e uraganëve në Gjirin e Meksikës që zgjat deri në nëntor, do të pengonte përpjekjet për mbylljen e pusit. Shtëpia e Bardhë po i bën trysni kompanisë BP që të shfrytëzojë motin e mirë në rajonin e Gjirit dhe të vazhdojë punën për ndalimin e rrjedhjes së naftës që është më e madhja në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Në programin televiziv të rrjetit CBS, “Face the Nation”, Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Erik Holldër tha se po vazhdojnë hetimet për shkakun e rrjedhjes së naftës. Ai theksoi se mund të hetohet çdo kompani e përfshirë në hapjen e pusit të dëmtuar.

“Jemi në procesin e grumbullimit të dokumenteve dhe po marrim në pyetje dëshmitarë nga të dy palët, dëmtuese dhe e dëmtuar”.

Zoti Holldër tha se administrata e Presidentit Obama po punon për t’u siguruar që taksapaguesit amerikanë të mos paguajnë për pastrimin e Gjirit të Meksikës. Nën trysninë e Shtëpisë së Bardhë, kompania BP ka krijuar një fond prej 20 miliardë dollarësh për të mbuluar shpenzimet e shkaktuara nga rrjedhja e naftës.

XS
SM
MD
LG