Lidhje

OKB: Ende përparim i pamjaftueshëm në zbatimin e drejtësisë për gratë

  • Shon Maroni
  • Zëri Amerikës

OKB: Ende përparim i pamjaftueshëm në zbatimin e drejtësisë për gratë

OKB: Ende përparim i pamjaftueshëm në zbatimin e drejtësisë për gratë

Kombet e Bashkuara thonë në një raport të ri se pavarësisht nga një shekull përpjekjesh për të fuqizuar të drejtat e grave në botë, qindra miliona prej tyre ende nuk po shohin përmirësime në sistemin e drejtësisë dhe në një shoqëri më të drejtë. Agjencia e Kombeve të Bashkuara UN Women, publikoi dje një raport mbi gjendjen e gruas në botë.

Të drejtat e grave në të gjithë botën kanë ecur shumë gjatë këtyre 100 vjetëve të fundit. Në vitin 1911, vetëm dy vende i njihnin gruas të drejtën e votës. Tani kjo e drejtë zbatohet gjerësisht në botë. Po ashtu ato përfaqësohen më shumë se kurrë më parë në parlamentet e vendeve përkatëse.

Por Laura Turquest e agjencisë UN Women thotë se do të duhet kohë para se të përfundojë lufta për barazi gjinore. Ajo është një ndër autorët kryesorë të raportit për qasjen e grave ndaj sistemit të drejtësisë:

“Mendoj se është realizuar një zhvendosje e dukshme, por raporti nënvizon gjithashtu paradoksin që paraqet realiteti, kur janë miratuar më shumë ligje se kurrë më parë por megjithatë ekziston një lloj hendeku mes ligjeve dhe zbatimit të tyre”.

Raporti me titull “Përparimi i Grave në Botë: Në kërkim të Drejtësisë” thekson se si në vende të pasura, ashtu edhe në ato të varfra, sistemet e drejtësisë po i lënë gratë në baltë si rezultat i dobësive në shërbime ose qëndrimit armiqësor nga ata që e kanë për detyrë të zbatojnë ligjet.

Ndihmës Sekretarja e Përgjithshme e OKB-së për Gratë Lakshmi Puri thotë se raporti thekson nevojën për kualifikimin e përfaqësuesve qeveritarë dhe agjencive të rendit për të luftuar këtë problem.

Ajo ngre gjithashtu problemin e burokracisë që ekziston në raste si për shembull përdhunimet, kur sistemi i ndërlikuar bën që shumë gra të mos e çojnë deri në fund procesin e paraqitjes së akuzës. Zgjidhja, thotë ajo, është reformimi i sistemeve të drejtësisë, në një formë që do të nxiste më shumë gra t’i besonin dhe të mbështeteshin tek sistemi i drejtësisë:

“Prandaj flasim për një shërbim të thjeshtë, që kombinon sistemin e drejtësisë, atë ligjor dhe atë shëndetësor në një vend, në mënyrë që të reduktohet numri i hapave që i duhet të bëjë një gruaje për të kërkuar drejtësi”.

Ajo parashtron si shembull pozitiv një provincë në Afrikën e Jugut që ka vënë në dispozicion personel të specializuar policor, mjekësor dhe social, në shërbim 24 orë në ditë. Ritmet e shpalljes fajtor të personave të akuzuar për përdhunim janë 89 për qind, krahasuar me 7 për qind në pjesë të tjera të vendit.

Raporti rekomandon miratimin e ligjeve të reja që ndëshkojnë dhunën seksuale në familje, si dhe të tjera që garantojnë barazi gjinore në vendin e punës, duke garantuar pagë të barabartë për punë të barabartë.

XS
SM
MD
LG