Lidhje

OSBE për lirinë e medias dhe gazetarinë investigative në Shqipëri


OSBE për lirinë e medias dhe gazetarinë investigative në Shqipëri
OSBE për lirinë e medias dhe gazetarinë investigative në Shqipëri

Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë shpreh shqetësim e saj për trajtimin e mediave nga organet qeveritare dhe ushtrimin e gazetarisë investigative në Shqipëri. Në raportin e radhës në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së dje në Vienë, përfaqësuesja për lirinë e shtypit, Dunja Mijatoviç, përmend si raste flagrante çështjen Pango dhe gjobën prej 400 mijë eurosh për kanalin televiziv Top Channel.

Zonja Mijatoviç tha se më 28 qershor u ishte drejtuar autoriteteve të larta shqiptare rreth çështjes “Pango”. Në një letër drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta dhe Ministrit të Drejtësisë Bujar Nishani ajo thotë se kishte shprehur shqetësimin rreth vendimit të Gjykatës së Rrethit të Tiranës për të gjobitur me 400 mijë euro Top Channel për transmetimin më 4 mars 2009 të një videoje ku ministri paraqitet duke kërkuar favore në këmbim të një vendi pune. Ky transmetim çoi në shkarkimin e ministrit Pango nga posti.

Zonja Mijatoviç thotë se u kujtoi autoriteteve shqiptare se roli investigues i medias në çdo shoqëri me të vërtetë demokratike është i domosdoshëm dhe se pagesat e dëmeve të shkaktuara në çdo rast të jenë proporcionale me dëmin aktual. Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias tha se shqetësimet që mund t’i shkaktohen mediave nga rëndesa ekonomike e gjobave nuk duhet të jenë të tilla që të çojnë në frenimin e raportimeve.

Gjatë takimit jozyrtar ministror 16 korrik në Almati, zonja Mijatoviç thotë se kishte patur rastin të takohej me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta dhe t’i shprehte edhe një herë shqetësimet lidhur me këto çështje dhe zoti Meta kishte pranuar t’i dorëzonte letrën e saj Presidentit të vendit, Bamir Topi, i cili në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë, mban postin e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Zonja Mijatoviç thekson se në këtë takim i kishte ofruar ministrit Meta mbështetjen e plotë të zyrës së saj për ta ndihmuar Shqipërinë në reformën e ligjeve të saj për mediat dhe pikërisht duke ofruar komente për legjislacionat që kanë të bëjnë me mediat.

XS
SM
MD
LG