Lidhje

Presidenti Barak Obama u nis për një udhëtim 10 ditor në Azi

  • Dan Robinson

Presidenti Barak Obama u nis për një udhëtim 10 ditor në Azi

Presidenti Barak Obama u nis për një udhëtim 10 ditor në Azi

Presidenti Barak Obama u nis sot për një udhëtim 10 ditor në Azi. Ai do të vizitojë Indinë, Indonezinë, Korenë e Jugut dhe Japoninë. Presidenti Obama do të kërkojë forcimin e marrëdhënieve me secilin vend në çështjet e sigurisë dhe ekonomisë ndërkohë që do të përcjellë mesazhin se Shtetet e Bashkuara synojnë të mbeten plotësisht të angazhuara në Azi.

Vitin e kaluar presidenti Barak Obama dha një darkë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë për kryeministrin indian Monmahan Singh, e para për presidencën e tij, dhe zoti Singh planifikon t’ia kthejë nderin gjatë vizitës së ardhshme të presidentit Obama në Indi. Anketat e opinionit tregojnë se zoti Obama gëzon popullaritet të madh në Indi, vendi më i madh demokratik në botë.

India gjithashtu është fuqi ekonomike dhe strategjike në rritje me një klasë të mesme në rritje e cila thuajse i është shmangur recesionit global. Ron Sommers i Këshillit të Biznesit Indi-Amerikë, thotë se vizita e presidentit Obama mund të sjellë përfitime të mëdha ekonomike për të dy vendet.

“Tani ne duhet të krijojmë vende pune në të dy vendet dhe të vëmë theksin në zhvillimin e marrdhënieve dypalëshe mes Amerikës dhe Indisë pasi India është ndër vendet më tregun me rritje më të shpejtë në botë.”

Thellimi i lidhjeve ekonomike mes Amerikës dhe Indisë vjen në një kohë kur edhe India po kërkon partnerë të tjerë si pjesë e politikës së saj që ka në fokus vendet e Lindjes. Kryeministri Singh kohët e fundit ka vizituar Japoninë, Vietnamin dhe Malajzinë.

Walter Andersen është specialist i çështjeve të Azisë Jugore në Shkollën për Studime Ndërkombëtare të universitetit Johns Hopkins.

“Ekziston një potencial i madh për investime të huaja direkte nga japonezët të cilët ende nuk kanë investuar shumë, por janë gati të bëjnë investime të mëdha në Indi. Ky bashkëpunim ka edhe elementin strategjik sepse në Azinë juglindore dhe në Japoni ekziston shqetësimi për rolin agresiv të Kinës dhe për këtë arsye ata duan marëdhënie më të ngushta me Indinë e cila është fuqia tjetër e madhe në Azi.”

Qendra e madhe tregëtare në Mumbai është ndalesa e parë e presidentit Obama. Atje ai do të takohet me ekzekutivët e bizneseve indiane dhe amerikane, do të nderojë viktimat e sulmit terrorist të vitit 2008 dhe do të mbajë një fjalim publik në një unversitet. Presidenti do të qëndrojë në hotelin Taxh që ishte objektiv i sulmeve terroriste.

Në New Dehli, zoti Obama ka në plan të mbajë një fjalim në parlament ku pritet të përmendë nevojën për zbatimin e marrëveshjes mbi bashkëpunimin bërthamor civil mes dy vendeve.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se vizita e presidentit Obama në Indonezi, e shtyrë dy herë, do të nënvizojë rëndësinë e këtij arkipelagu si vendi më i madh me shumicë myslimane dhe suksesin e saj në demokraci.

Në Xhakartë, zoti Obama do të vizitojë Xhaminë Istiklal, më e madhja në Indonezi, por për shkak të kohë së kufizuar nuk do të vizitojë shkollën ku ka mësuar kur ishte fëmijë, pavarësisht se kjo është e një rëndësie personale për të.

Ndalesa dytë e presidentit është Korea e Jugut ku po bëhen përgatitjet për mbajtjen e takimit të G-20s. Korea e Jugut është vendi i parë aziatik që organizon mbledhjen e grupit të G-20s. Zoti Obama pastaj do shkojë në Yokohama të Japonisë për të marrë pjesë në takimin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor.

Në Seul, Obama do të ketë bisedime me presidentin kinez Hu Gjintao dhe do të takohet me trupat amerikane për të shënuar 60 vjetorin e fillimit të Luftës Koreane.

Ish-nënsekretari amerikan i shtetit për çështjet politike, Nicholas Burns thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të krijojnë marrëdhënie të njëjta me Kinën ashtu si me Indinë dhe vendet e tjera të Azisë për të garantuar se rritja e vazhdueshme e Kinës do të jetë paqësore.

“Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen për një partneritet strategjik afatgjatë, për një lloj aleance me Indinë dhe Japoninë dhe vendet e tjera në të ardhmen në mënyrë që rritja ekonomike e Kinës të bëhet në një Azi paqësore dhe të qendrueshme, ku vendet demokratike të mbeten mjaft të fuqishme.”

Presidenti Obama do të kthehet nga udhëtimi i tij në Azi më 14 nëntor, në një kryeqytet politikisht të ndryshuar mjaft si rrjedhojë e zgjedhjeve të 2 nëntorit për Kongresin amerikan.

XS
SM
MD
LG