Lidhje

Ekspozitë e piktores amerikane Xhorxhia O'Kif në Uashington

  • Xhuli Taboh

Georgia O’Keeffe konsiderohet si një nga artistët e mëdhenj amerikanë të shekullit të 20-të. Ajo njihet më shumë për pikturimin e luleve me ngjyra të feksura dhe pejzazheve të zhveshura të jugperëndimit amerikan. Në një ekspozitë të hapur kohët e fundit në Washington janë përfshirë 100 piktura me bojëra vaji, me bojëra uji dhe skica nga O’Keeffe, të viteve 1915 deri në 1970, mes tyre një koleksion i rrallë me piktura abstrakte.

Piktorja amerikane Georgia O’Keeffe njihet më tepër për pikturat me lule dhe pejsazhe të shkretëtirës në jugperëndimin amerikan. Por shumë njerëz nuk e dinë që ajo ka patur edhe piktura abstrakte.

Një ekspozitë e re e hapur në Galerinë Philips në Washington, paraqet një koleksion të rrallë të pikturave abstrakte të Xhorxha O’Kifit, krahas me disa të tjera që i përkasin artit tradicional. Elsa Smithgall është punonjëse e muzeut.

“Shumë njerëz e lidhin emrin e piktores O’Keeffe me piktura sensuale të luleve me ngjyra të ndezura, me ngjyrat e zbehta të shkretëtirës në jugperënimin amerikan dhe me pejzazhet e e gjelbra në liqenin Xhorxh të Nju Jorkut. Në këtë ekspozitë janë bashkuar disa nga pikturat e njohura të O’Keefit, krahas me disa piktura abstrakte, të cilat vetë artistja nuk i ekspozoi shpesh gjatë jetës së saj”.

Këto skica me karbon të vitit 1915 janë mes pikturave abstrakte të ekspozitës.

“Janë skica të mrekullueshme, shumë organike të cilat nuk duket se kanë ndonjë subjekt të njohur”.

Në vitet 1920 O’Keeffe kaloi nga skicat abstrakte tek temat më të njohura për të. Gjatë kësaj periudhe, shumë nga pikturat e saj u cilësuan si me përmbajtje seksuale, një nocion që O’Keeffe e hodhi poshtë menjëherë.

“Ajo i rezistoi me forcë prirjes për t’i interpretuar veprat e saj me nota seksuale, në vitet ’20, kur ato u shfaqën. Ajo u shpreh fuqishëm kundër këtij interpretimi, duke thënë se përpiqej që ta fokusonte pikturën e saj tek një subjekt konkret, si një mënyrë për që t’i drejtonte kritikët drejt një tjetër mënyre të interpretimit të veprës së saj.

Në vitin 1929 O’Keeffe filloi të shkonte në New Mexico, ku ajo ndjehej më mire se sa në Nju Jork. Hapësirat e gjera të shkretëtirës e frymëzuan të vendosej atje për të jetuar përgjithmonë në vitin 1949.

“… dhe nga ajo kohë ajo filloi të sjellë një subjekt tërësisht të ri, shumë pejsazhe të New Mexikos, por njëkohësisht edhe kocka të zbardhura nga dielli, të cilat ajo i vendos në kontrast me sfondin e qiellit”.

Gjatë këtyre viteve pikturat e saj morën një frymëmarrje tjetër.

“Ajo filloi të pikturojë lule me përmsa gjithnjë e më të mëdha, duke shprehur kështu një ndryshim të shkallës së madhësisë së objekteve që pikturonte, duke prezantuar objekte të para nga perspektiva e syve të zogjve apo bletëve”.

Në fund të viteve ’50 dhe ’60, arti i O’Keffit u kthye përsëri nga abstraksioni.

“Kjo nuk është një lloj vepre që e sheh në mur dhe thua “Kjo është një vepër e O-Keeffit!”. Pra ato kanë një aspekt të çuditshëm. Ajo që i bën kaq të mrekullueshme, është se piktorja ka krijuar me shumë pak kompozicion, forma të këndshme, të cilat janë jashtëzakonisht ekspresive dhe të kujtojnë në skicat e hershme me karbon të autores”.

Pikturat e viteve të mëvonshme të Georgia O’Keeffe-it kanë frymëzuar brezat e rinj të artsitëve abstraktë dhe vepra e saj vazhdon të impresionojë dhe të frymëzojë dashamirësit e artit anembanë botës.

XS
SM
MD
LG