Lidhje

Mbi 1 100 të vdekur nga përmbytjet masive në Pakistan


Mbi 1 100 të vdekur nga përmbytjet masive në Pakistan
Mbi 1 100 të vdekur nga përmbytjet masive në Pakistan

Banorët në rajonin veriperëndimor të Pakistanit po ankohen lidhur me përgjigjen e qeverisë së tyre ndaj vërshimeve me përmasa katastrofike, që kanë shkaktuar mbi 1 100 viktima. Zyrtarët pakistanezë pranuan se po përpiqen me të gjitha mjetet për të arritur tek mijëra fshatarë të izoluar pas disa ditësh me shi të rrëmbyer. Provinca që është goditur më rëndë nga rreshjet është Khyber Paktunkwa. Pamjet e xhiruara nga ajri tregojnë se shkatërrimet janë masive. Sipas Kombeve të Bashkuara, llogariten rreth 1 milion pakistanezë që janë prekur nga fatkeqësia, ndërsa mijëra shtëpi, rrugë dhe ferma janë shkatërruar.

Infrastruktura e dobët është bërë pengesa kryesore e përpjekjeve të ndihmave në pjesën veri-perëndimore të Pakistanit. Ekipet e shpëtimit po punojnë me ngut për të ndihmuar mijëra vetë të bllokuar nga përmbytjet, ndërkohë që fronti atmosferik që solli shirat e rrëmbyer pritet të lëvizë drejt jugut të vendit, ku kërcënon të shkaktojë dëme të reja.

Mbi 30 mijë trupa pakistaneze janë përfshirë në përpjekjet e shpëtimit, duke evakuuar më shumë se 19 mijë vetë nga zonat e prekura nga stuhija. Por mendohet se ka plot njerëz të bllokuar në zona të largëta përfshirë Kohistanin dhe luginën Swat.

Në Nowshera, banorët u detyruan të përshkojnë në këmbë rrugët e përmbytyra për të arritur në terrene më të larta mbi ujë. Stuhija përmbyti qendrën tregtare dhe një pjesë të mirë të qytetit:

“Këtu kishte një treg të tërë. Unë vetë kisha një magazinë me tre dhoma, ku mbaja mall me vlerë afro 3500 dollarë. Tani gjithçka ka marrë fund. Askush nuk ka ardhur të shohë si jemi, asnjë politikan, asnjë drejtues. Kemi probleme me furnizimin me ujë, s’kemi ushqime”.- thotë një tregëtar

Është vetëm një fragment i tragjedisë njerëzore, që zyrtarët thonë se ka prekur mbi 500 mijë vetë si rezultat i përmbytjeve dhe rrëshqitjes së dheut. Fëmijët dhe gratë, paralajmërojnë ata, janë më të rrezikuarit.

Për zonat e goditura në një nga vendet më të varfra të botës, një tragjedi e tillë nënkupton shkatërrim të plotë. Shumë nga banorët kanë humbur mënyrën e jetesës në këto përmbytje.

Shair Dad kishte një punishte tunxhi. Ai thotë se ka 10 vjet që e ka ndërtuar këtë biznes, pasi mori një kredi të madhe:

“Nuk i kam shlyer humbjet për 10 vjet. Lëndën drusore e kam blerë me kredi. Tani nuk e di si do e paguaj”.- thotë ai

Shumë nga banorët ndodhen këtu në rrezik për jetën, me shpresën se do të shpëtojnë diçka nga zotërimet e tyre:

Për këta banorë që kanë humbur gjithçka, ndihmat qeveritare janë jetike. Ndërkaq, organizatat e ndihmave paralajmërojnë se tani afron momenti kritik i kërcënimit të epidemive. Disa nga të evakuuarit kanë filluar të shfaqin simptoma shqetësuese përfshirë ethe, diarre dhe probleme lëkure.

Ambasada amerikane në Islamabad thotë se po dërgon ndihma emergjente, përfshirë 2 impiante për filtrim uji, 380 mijë paketa ushqimore për banorët, katër gomone shpëtimi ndërkohë që, që nga e premtja ka vënë në dispozicion helikopterë për të nxjerrë personat e bllokuar nga zonat e përmbytura. Ambasada ka njoftuar se do të dërgojë 12 ura parafabrikate prej çeliku për të vendosur përkohësisht lidhjet me zonat e përmbytura.

XS
SM
MD
LG