Lidhje

152 të vdekur nga aksidenti ajror pranë kryeqytetit pakistanez


Një aeroplan me 152 persona në bord u rrëzua afër Islamabadit, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë udhëtarëve. Aeroplani, pronë e kompanisë private Airblue, u rrëzua në zonën Margalla Hills afër kryeqytetit pakistanez. Zyrtarët thanë se aeroplani po udhëtonte nga Karaçi për në Islamabad, dhe po bëhej gati për t’u ulur në një mot me shi.

Deri më sot, kjo është katastrofa më e rëndë ajrore në fluturimet e linjave të brendshme të Pakistanit.

Shkaku i saktë i rrëzimit ende nuk dihet. Zyrtarët thanë se avioni ishte nisur nga Karaçi për një udhëtim prej dy orësh për në Islamabad dhe po përpiqej të ulej në mot të vështirë. Kërkimi për të vdekurit dhe të plagosurit vazhdoi në kodrat me pyje ndërkohë që nga vendi i rrëzimit ngrihej tym.

Ushtria pakistaneze të dërgoi trupa të posaçme për të ndihmuar kërkimet. Në vendin e ngjarjes shkoi me helikopter edhe presidenti i vendit, Asif Ali Zardari. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Pakistan tha se mes viktimave ishin edhe dy shtetas amerikanë. Shumë banorë të Islamabadit thanë se e kishin parë avionin të fluturonte shumë ulët përpara rrëzimit.

Një zëdhënës i kompanisë ajrore Airblue tha se ky ishte rrëzimi i parë i një avioni të kësaj kompanie që kur ajo filloi punën në vitin 2004. Airblue është kompania e dytë më e madhe ajrore e vendit.

Në aeroportin e Islamabadit, qindra miq dhe të afërm të personave në bord u grumbulluan pa vonesë për të kërkuar informacione. Një turmë e madhe njerëzish kishte ardhur për të parë listën e udhëtarëve, të vendosur pranë sportelit të shoqërisë ajrore Airblue.

Avioni nuk kishte më tepër se 8 vjet që ishte prodhuar dhe nuk kishte patur probleme teknike, sipas zyrtarëve të kompanisë. Ata thanë gjithashtu se pilotët nuk kishin dhënë ndonjë sinjal alarmi para rrëzimit.

Në të kaluarën, disa kompani ajrore pakistaneze i janë nënshtruar vëzhgimeve të imtësishme ndërkombëtare për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë.

XS
SM
MD
LG