Lidhje

Procesi i Lumnimit të Papa Gjon Palit II ngjall krenari në vendlindjen e tij

  • Hilari Hjulër
  • Zëri Amerikës

Procesi i Lumnimit të Papa Gjon Palit II ngjall krenari në vendlindjen e tij

Procesi i Lumnimit të Papa Gjon Palit II ngjall krenari në vendlindjen e tij

Në qytetin Vadovice në Poloni të jugut, ngado hedh sytë gjen diçka që të kujton Papa Gjon Palin II. Në anë të rrugëve valëviten flamuj me fytyrën e Papës, ndërsa në pika të ndryshme të qytetit kalimtarët mund të shkëmbejnë shikime me Atin e Shenjtë në statuja dhe portrete të ndryshme. Qyteti Vadovice është vendlindja e Papës. Ai lindi në këtë qytet në vitin 1920 dhe u pagëzua me emrin Karol Vojtila. Apartamenti ku lindi Ati i Shenjtë tani është shdërruar në muzeum të mbushur me objekte nga e kaluara e tij, djepin e foshnjërisë, skitë dhe një përparëse që ia kishte bërë e ëma.

Gjon Pali II lumnohet sot, gjë që përbën hapin e parë të procesit drejt shenjtërimit. Në Vadovice, dhjetëra mijëra vetë, përfshirë kryeministrin polak pritet të mblidhen në sheshin qendror të qytetit për të ndjekur drejtpërdrejt transmetimin e cereminisë. Marek Dijazinski, i cili punon për muzeun, shpjegon se ashtu siç ishte i rëndësishëm Papa për Poloninë, po ashtu edhe Polonia ishte me rëndësi jetike për të:

"Problemet e vendit të tij kishin rëndësi për Atin e Shenjtë. Gjatë gjithë kohës që ishte Papë, ai mendonte për atdheun e tij. Ai bisedonte me polakët, përpiqej t’i motivonte që të bënin ndryshime, veçanërisht para vitit 1989”.

Papa Gjon Pali II ishte Papa i parë me kombësi jo italiane që nga shekulli i 16 dhe Papa i parë polak në histori. Por ndjenja e fortë e lidhjeve që ndjejnë polakët me Papa Gjon Palin e ka burimin tek politika, po aq sa tej feja.

Sipas historianit Tadush Ruzikovski të Institutit për Memorien Kombëtare me seli në Varshavë, vizita e Papës në Poloni në vitin 1979 ishte një goditje e rëndë për regjimin e asaj kohe. Lëvizja e Solidarnostit u lind një vit më pas dhe u shndërrua në një forcë që ndikoi në rrëzimin e komunizmit në Bllokun Lindor.

"Për dekada me radhë, qeveria u përpoq ta paraqiste Republikën Popullore të Polonisë si një fenomen i natyrshëm historik dhe vlerat e saj – leninizmin, marksizmin e të tjera – si vlerat më të mira për popullin. Vizita e Papa Gjon Palit në 1979 tregoi se qindra mijëra vetë, biles miliona prej tyre udhëhiqeshin nga vlera që dallonin nga ato të qeverisë. Historianët pohojnë se në mungesë të vizitës së Papa Gjon Palit II në Poloni, nuk do të kishte qenë e mundur të formohej Solidarnosti në vitin 1980. Ai u dha njerëzve shpresë, guxim për të shprehur mendimet e tyre të vërteta për shumë çështje”.

Historiani shton se për shumë polakë, ndjenja e një përkrahjeje morale nga Vatikani luajti një rol vendimtar në inkurajimin e njerëzve në luftë kundër autoriteteve komuniste.

"Kishte shumë rëndësi për popullin polak të fitonte vetëdijen se jashtë Polonisë ishte një individ i cili i kuptonte problemet tona dhe na donte të mirën. Në botën e jashtme, ky individ fliste me një zë me ne, pasi e kishte përjetuar vetë komunizmin dhe shtypjen që u zbatua në Poloni për vite”.

Që nga vdekja e tij në vitin 2005, monumente dhe portrete të Papës janë shfaqur kudo në Poloni. Shëmbëlltyra e tij shihet në bluza, biles ka edhe objekte zbukurimi për oborrin me fytyrën e Papës. Ka plot polakë që nuk e pëlqejnë mënyrën si po shfrytëzohet kujtimi i Papës. Një prej tyre është Julia Kozevska e Klubit të Intelektualëve Katolikë m seli në Varshavë.

"Kemi monumente. Shpesh, jeta e tij, mësimet që na la, veprat që realizoi përjetësohen në objekte materiale, gjë që është shumë e rrezikshme, pasi mund të harrohet kuptimi i tyre i vërtetë. Me rastin e lumnimit ka plot kapele apo stema me fytyrën e tij. Ajo që mungon është një reflektim më i thellë i asaj që personifikonte Papa”.

Megjithatë, për shumë polakë marrëdhënia e tyre me Papa Gjon Palin është tepër personale.

Një grua që po vizitonte shtëpinë muze të Papa Gjon Palit II shpjegon se Papa është shumë i rëndësishëm për familjen e saj, pasi ajo ishte shtatzënë kur ai vdiq. Ajo kujton tronditjen që përjetoi vendi pas vdekjes së tij. “Ashtu si polakët e tjerë” - thotë ajo – “unë jam shumë krenare për të”.

Që nga vdekja e Papës, mijëra vetë kanë ardhur çdo vit në qytetin Vadovice për të vizituar vendlindjen e Papës. Falë lumnimit të Papës, tani qyteti parashikon një interesim edhe më të madh nga turistët e huaj për vite me radhë.

XS
SM
MD
LG