Lidhje

Në kujtim të kontributit dhe veprës së Peter Priftit

  • Ardita Dunellari

Në kujtim të kontributit dhe veprës së Peter Priftit

Në kujtim të kontributit dhe veprës së Peter Priftit

Prof. Peter Prifti, një nga figurat më të njohura të Diasporës shqiptare në Amerikë, vdiq të martën në moshën 85 vjeçare në një spital të San Diegos në Kaliforni. Ai mbetet një ndër studiuesit dhe shkrimtarët më me peshë të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara. Të paktë janë ata që kanë bërë aq shumë për të prezantuar politikanët, akademikët, median dhe publikun amerikan me zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë.

Peter Prifti la pas një krijimtari të pasur akademike, por mbi të gjitha do të kujtohet për rolin e tij për të sjellë në debatin akademik e politik çështjen shqiptare. Një ndër veprat e tij të para dhe ndër më të rëndësishmet e krijimtarisë së tij është studimi monografik: "Kosovo in Ferment" (Kosova e Tronditur), botuar në vitin 1969, ndërsa punonte në Institutin Teknologjik të Masaçusets (MIT). Më pas ai do të radhitej krahas studiuesve anglisht-folës me libra të tjerë të shkencave politike si: Shqipëria Socialiste, botuar më 1978, Konfrontime në Kosovë: Lufta Shqiptaro-Serbe 1969-1999, librin e vetëm në shqip; Mozaik Shqiptar, botuar më 2003 dhe më 2005, monografinë në anglisht "Portret i Papërfunduar i një Vendi" një portret rreth të kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes së Shqipërisë.

Duke folur për veprën akademike të zotit Prifti, Profesor Nikolla Pano, i cili e ka njohur nga afër dhe ka bashkëpunuar prej dekadash me Peter Priftin, flet për ndikimin që ka pasur vepra e tij në prezantimin e çështjesh shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Libri i tij “Kosovo in Ferment”, shpjegon profesor Pano, ishte një ndër studimet e para që filloi të hidhte dritë mbi çështjen e Kosovës për studiuesit amerikanë dhe më pas për politikanët amerikanë dhe për median në Shtetet e Bashkuara. Peter ishte një ndër të parët që filloi të shkruante artikuj opinioni apo letra drejtuar redaksisë. Ai bëri shumë për ta bërë të njohur çështjen e Kosovës në Shtetet e Bashkuara.

“Ai ka pasur një ndikim të madh tek unë dhe më ndihmoi të përqendrohesha në punën time tek çështja e Kosovës. Peteri dhe unë kemi marrë pjesë në një numër konferencash ndërkombëtare. Peter Prifti bënte pjesë në një grup të vogël, ku përfshihej Arshi Pipa dhe Elez Biberaj dhe shumë prej nesh, të cilët u bëmë aktivë në këtë kauzë falë rolit të Peter Priftit, duke u shndërruar në aktivistë për të ndihmuar që çështja e Kosovës të sillej në qendër të vëmendjes së publikut ameriakan”.

Peter Prifti ndihmoi për të nxitur një debat akademik për tema që deri atëherë ishin lënë në harresë, ose nuk kishin tërhequr asnjëherë interes në qarqet akademike e mediatike amerikane. Libri i tij, “Shqipëria Socialiste që nga viti 1944”, thekson Profesor Pano, ishte në atë kohë një ndër studimet më të thellësishme që ishte botuar ndonjëherë për Shqipërinë.

“Libri i tij “Shqipëria Socialiste që nga viti 1944” u bë një titull standard referimi. Është përmendur gjerësisht në studime akademike për Shqipërisë. Libri u botua përafërsisht në kohën e shkëputjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën. Kjo periudhë ndihmoi për të vënë në lëvizje një sërë zhvillimesh që dobësuan dhe gradualisht çuan në rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Pra libri doli në një moment shumë interesant, kur Shqipërisë po i kushtohej më shumë vëmendje. Kur lexon librin e Peterit e sheh se ai merret me disa prej shenjave të kalbjes së sistemit politik që po shfaqeshin në Shqipëri. Pra është një libër shumë i rëndësishëm për studimet shqiptare”.

Peter Prifti erdhi në Amerikë në vitin 1940, në moshën 15 vjeçare. Në vitin 1949, ai u diplomua nga Universiteti i Pensilvanisë dhe u vendos në Boston, ku u njoh personalisht me Fan Nolin dhe filloi të punojë si sekretar i federatës pan shqiptare Vatra dhe si redaktor i gazetës Dielli, së bashku me atdhetarin e njohur Qerim Panariti. Puna e tij në komunitetin shqiptaro-amerikan të Bostonit, kujton profesor Pano, ishte shumë e rëndësishme për mbajtjen gjallë të organizatave të komunitetit:

“Kurdo që shkoja në Boston dhe kisha rastin të takohesha me Peter Priftin, flisnim për zhvillimet në komunitetin shqiptar, diskutonim mbi nevojën për të krijuar një organizatë qendrore për të konsoliduar të gjitha elementet e komunitetit. Peter kishte shumë interes edhe për zhvillimin e Vatrës dhe Diellit. Megjithëse u angazhua vetëm për pak vjet si ndihmës-redaktor me Diellin, mendoj se kontributi i tij ishte shumë i rëndësishëm për të mbajtur gjallë këto organizata. Ai është angazhuar në mënyrë aktive në përgatitjet për festimin e 50-vjetorit të Kishës Ortodokse shqiptare në vitin 1958. Ai ishte një admirues i madh i Fan Nolit dhe Fan Noli e respektonte shumë intelektin e Peter Priftit”.

Ajo që është e rëndësishme për kontributin e Peter Priftit për studimet shqiptare është që mbulonin një gamë të gjerë fushash, që nga historia e politika, e deri tek gjuha e kultura. Profesor Nikolla Pano e kujton Peter Priftin si një njeri me interesa të gjera, që ka dhënë kontribute të rëndësishme, mungesa e të cilit do të lërë një boshllëk në studimet shqiptare, e sidomos në këto studime në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG