Lidhje

Petersen: Serbia jo në BE pa marrëveshje me Kosovën

  • Rudina Dervishi

Petersen: Serbia jo në BE pa marrëveshje me Kosovën

Petersen: Serbia jo në BE pa marrëveshje me Kosovën

Në një dëshmi para Komisionit amerikan të Helsinkit, ish shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Soren Jesen Petersen tha se zgjidhja e konflikteve ndëretnike në Ballkan do të arrihet përmes integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. Por ai theksoi se Bashkimi Evropian nuk duhet ta lejojë Serbinë të pranohet në organizatë pa një marrëveshje të qartë për marrëdhëniet e saj me Kosovën.

Ish shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Soren Jesen Petersen e sheh zgjidhjen e konflikteve ndëretnike në Ballkan, mes tyre edhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi, në integrimin evropian.

Por, ndonëse zyrtarë të ndryshëm evropianë kanë thënë se Serbia mund të anëtarësohet në BE edhe pa qënë nevoja të njohë Kosovën, ende nuk është e qartë se çfarë modaliteti do të ndiqet për Serbinë, e cila e sheh Kosovën ende si pjesë të territorit të saj. Zoti Petersen tha se Bashkimi Evropian duhet të mos lejojë që Serbia të pranohet pa një marrëveshje të qartë për marrëdhëniet me Kosovën.

"Bashkimi Evropian nuk duhet të ndërmarrë hapa për pranimin e Serbisë përsa kohë që ekziston kjo çështje e pazgjidhur dypalëshe mes Serbisë dhe Kosovës pasi kjo do të cënonte unitetin e BE-së dhe bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perendimor.Siç kemi parë nga gabimet e bëra në të kaluarën ftesa e vendeve të përfshira në mosmarrëveshje dypalëshe si Qiproja, apo emri i Maqedonisë apo mosmarrëveshja së fundmi mes Sllovenisë dhe Kroacisë. Këto janë pengesa për synimin kryesor për integrimin e këtyre vendeve në BE dhe vonon procesin e associmit. Shpresoj që BE-ja të mos e bëj përsëri këtë gabim.

Zoti Petersen i tha Zërit të Amerikës se pret një strategji të qartë nga Bashkimi Evropian që do ta detyronte Serbinë të përcaktonte qëndrimin e saj ndaj Kosovës edhe pa e njohur pavarësinë e saj.

"Serbia ka të drejtën e saj të mos e njohë Kosovën, por besoj se mesazhi i Bashkimit Evropian për Serbinë duhet të jetë ky – keni të drejtë tuaj të mos e njihni Kosovën, por nuk mund të hyni në BE dhe ta mbani Kosovën peng të pozitës suaj. Gjithashtu Serbia duhet të njohë rëndësinë që ka Kosova në bashkëpunimin rajonal pasi ne duam që shtetet në rajon të punojnë së bashku. Sa herë që ka bashkëpunim rajonal Serbia mundohet të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës. Pra mendoj se mesazhi nga BE-ja është i qartë – ne duam Serbinë në BE por ajo nuk mund ta sjellë çështjen e Kosovës në BE dhe nuk mund të vazhdojë të bllokojë bashkëpunimin rajonal për shkak të mosmarrëveshjeve me të. Shpresoj se kjo do të jetë politika e Bashkimit Evropian megjithëse nuk ka ende një të tillë".

Lidhur me prespektivën e bisedimeve të afërta mes Prishtinës dhe Beogradit për çështje teknike, zoti Peterson është i rezervuar duke kujtuar eksperiencën e tij në negociatat e pasukseshme mes palëve.

"Nuk besoj se kjo do të ndodhë. Nga eksperienca që kam unë si përfaqësues i posaçëm kishim katër grupe shumë të rëndësishme pune mes Prishtinës dhe Beogradit dhe kishte gjithmonë mosmarrëveshje se cila çështje ishte politike dhe cila teknike. Kam dëgjuar politikanët kosovarë që janë të gatshëm të ulen dhe të diskutojnë çështje teknike pasi ata pranojnë se Kosova dhe Serbia janë vende fqinje por kam parë gjithashtu politikanët serbë që thonë se nuk mund të bëjnë asgjë që mund të shihet si njohje defacto e pavarësisë së Kosovës. Pra ato që do të ishin me të vërtetë çështje teknike do të konsideroheshin patjetër çështje politike nga Serbia".

Vendimin e gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë, që pritet të jetë i jo i prerë qartë për çështjen e pavarësisë, zoti Petersen e sheh me optimizëm pasi ai mund të jetë fundi i përpjekjeve të Beogradit.

"Shumë presin të shohin një vendim të dykuptimtë nga Gjykata Ndërkombëtare dhe ndoshta kjo do të ishte mirë në mënyrë që Serbia të thotë gjykata mbajti anën tonë dhe Kosova të thotë të njëjtën gjë. Në se do të ishte e tillë do ta quaja pozitiv. Shpresoj megjithatë që vendimi do të lejojë Serbinë të thotë i kemi përdorur të gjitha mënyrat ligjore dhe politike – nuk do ta njohim Kosovën – ata ndoshta do të thonë nuk do ta njohim asnjëherë Kosovën por pas këtij vendimi pasi i kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë le të ecim përpara".

Ish administratori i UNMIK-ut në Kosovë vazhdon t’i ndjekë me kujdes zhvillimet e fundit në Kosovë, ku EULEX-i ka ndërmarrë një hetim lidhur me akuzat për korrupsion në punën e Ministrisë së Transportit. Megjithëse nuk pranoi të komentonte ndërsa hetime vazhdojnë, ai tha se ka ardhur koha që deklaratat e mirëpritura të qeverisë së Kosovës për luftuar korrpsionin duhet të ndiqen me veprime.


XS
SM
MD
LG