Lidhje

Si të mbrohen anijet e pasagjerëve nga kërcënimi i piratëve në Oqeanin Indian


Një oficer i lartë i marinës amerikane thotë se anijet e pasagjerëve në Gjirin e Adenit dhe në Oqeanin Indian duhet të pajisen me roje të armatosura për t’u mbrojtur nga piratët somalezë. Admirali Mark Fitzerald tha po ashtu se komuniteti ndërkombëtar duhet të vihet në kërkim të fondeve për piratët në kuadrin e përpjekjeve për t’i dhënë fund piraterisë në rajon. Admirali i bëri këto komente në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Kohët e fundit, bandat e piratëve somalezë kanë shkallëzuar sulmet, megjithë praninë e dhjetra anijeve të huaja në rajonin e Oqeanit Indian dhe përreth tij.

Marina amerikane thotë se ka anije të përmasave dhe formave të ndryshme në përpjekjet kundër piraterisë në bregdetin lindor të Afrikës.

Marina po ashtu është përpjekur të hapë një korridor përmes Gjirit të Adenit. Dhe kjo i ka detyruar piratët të futen në Oqeanin Indian, pranë Indisë dhe më në jug drejt Mozambikut. Admirali Mark Fitzgerald drejton forcat e marinës amerikane në Evropë dhe Afrikë.

"Rajoni është jashtëzakonisht i madh dhe ne nuk kemi anije të mjaftueshme për të kontrolluar çdo zone të Oqeanit Indian."

Zëri i Amerikës: Po të kishit një flotë me përmasat e asaj të Luftës së 2-të Botërore, a do ta bënit dot këtë punë?

Admiral Fitzerlad: Nuk besoj se do ta mbulonim dot të gjithë zonën edhe me një flotë të Luftës së Dytë Botërore.

Ujërat e qeta po i lejojnë piratët të operojnë deri mijëra kilometra larg brigjeve të Afrikës.

Gjiri i Adenit, mes Somalisë dhe Jemenit, është shumë i rëndësishëm për peshkimin. Mijëra anije kalojnë nëpër këto ujëra çdo vit, që shkojnë e vijnë nga Kanali i Suezit dhe që hyjnë e dalin nga Oqeani Indian.

Piratët somalezë kanë marrë peng aktualisht mbi 20 anije, me qindra anëtarë ekuipazhi, të cilëve u kërkojnë të paguajnë, si kusht për lirimin e tyre.

Admirali Fitzerald thotë se anijet komenciale duhet të kenë roje të armatosura në bord.

"Për mendimin tim duhet të ketë siguri për këto anije. Masat e sigurisë që kanë disa anije të mëdha pasagjerësh kanë qenë shumë të efektshme. Industria e transportit duhet të gjejë një mënyrë për trajtimin e kësaj çështjeje, por unë nuk mendoj se mund t’u japin atyre 100 për qind garanci mbrojtjeje dhe as që duhet ta bëjmë një gjë të tillë."

Zoti Fitzerald thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë një fushatë për bllokimin e fondeve financiare për piratët.

"Ne duhet të gjejmë financimin, logjistikën dhe mënyrat se si po mbështeten këto anije, ku furnizohen me karburant dhe duhet të kemi një ligj, që kur ata të kapen, të nxirren para drejtësisë."

Admirali e pranon se ka qenë e vështirë t’i bindësh vendet e ndryshme të ndjekin ligjërisht piratëve. Ai thotë se SHBA po punojnë për një plan për nxjerjen para drejtësisë të piratëve, që aktualisht mbahen në anijet e marinës. Përveç kësaj, marina afrikane po trajnohet nga SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë se si të zbatojnë ligjin në ujërat e tyre.

"Kushton shumë më lirë dhe është shumë më kontruktive t’i stërvitësh aleatët si ta bëjnë punën dhe të zbatojnë ligjet në territoret e tyre ujore, në zonat e tyre ekskluzive ekonomike, se sa të shkojmë ne atje për të luftuar me ta."

Admirali Fitzerald thotë se zor që së shpejti të ketë një qeveri të qëndrueshme në Somali. Pra, është e nevojshme të ketë një përpjekje ndërkombëtare për të luftuar piraterinë. Por ai thotë se në fund të fundit, vetëm patrullimet detare, nuk do ta zgjidhin problemin.

XS
SM
MD
LG