Lidhje

Polonia, një javë zi kombëtare për aksidentin ajror në Rusi


Këmbanat e kishave dhe sirenat u dëgjuan sot në mbarë Poloninë, ndërkohë që miliona njerëz mbanin zi për Presidentin Leh Kazinski, të shoqen dhe shumë personalitete të vendit që humbën jetën dje nga rëzimi i avionit me të cilin po udhëtonin për në Rusi.

Qytetarët mbushën kishat për t’u lutur për të vdekurit, ndërsa dhjetra mijëra të tjerë u mblodhën tek pallati presidencial në qendër të Varshavës për të nderuar kujtimin e tyre. I gjithë vendi mbajti dy minuta heshtje zije për Presidentin Kazinski dhe 95 zyrtarët e tjerë të vrarë nga përplasja e avionit presidencial në periferi të qytetit Smolensk të Rusisë.

Trupat e presidentit dhe të së shoqes mbërritën sot pasdite në Varshavë, ku u pritën me nderime zyrtare të kryesuara nga vëllai i tij binjak, Jarosllav Kazinski. Mijëra qytetarë polakë u rreshtuan në rrugënprej 10 kilometrash nga aeroporti Frederik Shopen deri në pallatin presidencial.

Ndërkaq, hetuesit vazhduan sot punën në Smolensk në skenën e rrëzimit të avionit ku humbën jetën Presidentin polak Leh Kazinski dhe drejtues të ushtrisë e politikës. Avioni u rrëzua gjatë fluturimit në mot me mjegull të dendur, kur delegacioni polak po shkonte në një ceremoni përkujtimore me rastin e 70 vjetorit të vrasjes së mijëra oficerëve polakë nga forcat sovjetike gjatë Luftës së Dytë Botërore në Katin. Rrëzimi la të vrarë të 97 personat në bord, përfshirë Presidentin e Bankës Kombëtare polake, Zëvendës Ministrin e Jashtëm, Klerikun kryesor të Ushtrisë, Kreun e Zyrës së Sigurimit Kombëtar, Kreun e Komitetit Olimpik, si dhe një numër zyrtarësh të tjerë të lartë.

Copat e avionit ishin përhapur në një sipërfaqe të gjerë në rrënjët e pemëve të zhveshura të një pylli pranë pistës së aeroportit. Bishti i avionit me ngjyrat kuq e bardh të flamurit polak spikasnin në mbeturinat e avionit.

Ministria ruse e Transportit tha sot se hetuesit rusë dhe polakë kanë filluar të deshifrojnë të dhënat e kutisë së regjistrimit në avionin e prodhimit sovjetik. Të dhënat e para tregojnë të meta në gjykimin e pilotit gjatë drejtimit të avionit përmes mjegullës së dendur. Kryeministri rus, Vladimir Putin, ka thënë se do ta mbikqyrë personalisht procesin hetimor.

Vëllai binjak i presidentit polak, ish-kryeministri Jaroslav Kazinski mbërriti dje në Rusi i shoqëruar nga të afërm për të identifikuar trupin e vëllait. Ai vizitoi skenën e ngjarjes, ku u lut dhe i bëri nderimet e përmortshme viktimave, para se të kthehej përsëri mbrëmë në Poloni. Trupi i Presidentit Kazinski mbërrin sonte në Varshavë. Trupat e viktimave të tjera të rrëzimit të avionit u dërguan mbrëmë në Moskë për identifikim.

Të afërmit e disa prej viktimave, të shoqëruar nga banorë të zonës ishin mbledhur sot në aeroport për të vendosur lule në nderim të tyre. Ndërkaq, në Moskë banorët kishin vendosur lule dhe kishin ndezur qirinj në trotuarin pranë ambasadës polake në nderim të kujtimit të viktimave. Kryetari i Bashkisë së Moskës tha se të afërmve të viktimave do t’u ofrohet strehim dhe ushqim falas, kur të mbërrijnë në kryeqytetin rus për të identifikuar trupat e viktimave. Ministria ruse e Emergjencave thotë se incidenti la të vrarë 97 vetë, 88 prej të cilëve pjesëtarë të delegacionit polak.

XS
SM
MD
LG