Lidhje

Marrëdhëniet SHBA - Amerikë Latine gjatë Depresionit të Madh

  • David Jarmul

Herbert Huver dhe bashkëshortja Lu Henri Huver në 1929

Herbert Huver dhe bashkëshortja Lu Henri Huver në 1929

Më 1929 filloi një periudhë e gjatë dhe e vështirë për Amerikën. Presidenti Herbert Huvër u përpoq të gjente zgjidhje ndërsa vendi po zhytej në krizën më të rëndë ekonomike të historisë së tij. Por udhëheqësit të atëhershëm amerikan iu desh të merrej edhe me një sërë çështjesh të politikës së jashtme. Pjesa e parë e materialit të cilën po transmetojnë tani i hedh një vështrim politikës së jashtme të Presidentit Huvër, duke u përqendruar në Amerikën Latine.

Depresioni i Madh pati ndikim në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me botën. Revolucionet kapluan Amerikën Jugore, Japonia nisi një fushatë agresioni kundër Kinës, ndërsa rrethanat ekonomike në SHBA krijuan probleme të rënda me Evropën.

Presidenti Huvër ia doli mbanë në disa aspekte të politikës së tij të jashtme, por nuk arriti dështoi të zgjidhte problemet ekonomike të Amerikës. Dhe, si shumica e amerikanëve, ai nuk arriti të kuptonte rëndësinë e ndryshimeve politike në Japoni dhe Gjermani.

Politika e jashtme e Herbert Huvërit u përshkua nga dëshira e tij për të zënë miq dhe për të shmangur luftën. Presidenti ishte tronditur nga Lufta e Parë Botërore, pasojat e së cilës i kishte parë me sytë e vet kur drejtonte përpjekjet për t’u siguruar ushqime të mbijetuarve në Evropë. Ai dëshironte të shmangte një luftë tjetër të madhe dhe besonte në nevojën për të kërkuar paqe nëpërmjet negociatave.

Zoti Huvër punoi drejt këtij qëllimi edhe para se të vinte në Shtëpinë e Bardhë. Pas zgjedhjeve presidenciale i mbeteshin disa muaj kohë, gjatë të cilëve kaloi dhjetë javë në Amerikën Latine. Ai u tha vendeve të kontinentit se mund t’u besonin Shteteve të Bashkuara se do të nderonin të drejtat e tyre si shtete të pavarura.

Herbert Huvër e mbajti fjalën. Një vit pasi mori detyrën, administrata e tij njoftoi se do të njihte të gjitha qeveritë e vendeve të Amerikës Latine, përfshirë edhe ato që nuk u shkonin për shtat Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Huvër i tha popullit amerikan se nuk do të ndiqte politikën e Presidentit Theodor Ruzëvelt, i cili vendosi më 1904 se Shtetet e Bashkuara kishin të drejtë të ndërhynin në vendet e kontinentit në qoftë se nuk pajtoheshin me veprimet e qeverive atje. Herbert Huvër tha se kjo qasje ishte e gabuar, duke cekur se ishte më e rëndësishme të shfrytëzohej miqësia sesa forca.

Presidenti Huvër tërhoqi forcat amerikane nga Nikaragua, organizoi largimin e trupave nga Haiti dhe tregoi vetëpërmbajtje ndërsa afro 50 revolucione po trondisnin vendet e Amerikës Latine.

Disa qeveri revolucionare që ishin kundër Shteteve të Bashkuara refuzuan të paguajnë borxhet për kompanitë amerikane dhe shtetëzuan pronat e të huajve. Por zoti Huvër nuk pranoi të përdorte forcën për të mbështetur interesat amerikane, duke dashur të dëshmonte se Shtetet e Bashkuara mund të trajtonin vendet e Amerikës Latine si të barabarta.

Kjo politikë ishte mjaft e suksesshme dhe marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Amerikës Latine u përmirësuan në përgjithësi nën udhëheqjen e Herbert Huvërit.

XS
SM
MD
LG