Lidhje

Presidenti Topi bën thirrje të mos harrohen krimet e komunizmit


Presidenti Topi bën thirrje të mos harrohen krimet e komunizmit
Presidenti Topi bën thirrje të mos harrohen krimet e komunizmit

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, u bëri sot thirrje shoqërisë dhe institucioneve shqiptare që të mos harrojnë krimet e diktaturës komuniste, si mënyra e vetme për të nxjerrë mësime për demokracinë. Zoti Topi tha se harresa e viktimave dhe persekutorëve do të ishte e pafalshme.

Sakrificat e brezave të mëparshëm për liri duhen nderuar pa u ndalur dhe me krenari, sepse vetëm kështu merr vlerë ushtrimi i lirive në kohët e sotme moderne, dhe kësthu ndërtohet demokracia mbi themele të sigurta.

“Lufta e klasave, përndjekja deri në djep, por edhe më tej tek pasaardhësit, të cilët ende nuk kishin lindur, shkelja e të drejtave të njeriut, dhuna e ushtruar nga sistemi diktatorial komunist ndaj të gjithë atyre që mendonin dhe vepronin ndryshe nga kasta në pushtet, duhen demaskuar dhe dënuar publikisht dhe historikisht. Vetëm në këtë mënyrë mund të flasim për një shtet të konsoliduar të së drejtës, për një drejtësi të vonuar, por jo të mohuar dhe për një demokraci të konsoliduar. Kërkohet drejtësi dhe rivendosje dinjiteti të mohuar, natyrisht, jo hakmarrje” - tha zoti Topi.

Presidenti Topi tha se studimi dhe ndriçimi i ngjarjeve të diktaturës i shërben të sotmes dhe të ardhmes sa më të pastër të demokracisë shqiptare. Në to brezat do të mësojnë se si dhe pse u shkelën të drejtat njerëzore nga regjimi komunist dhe se si kjo e keqe nuk mund të ketë të ardhme në Shqipëri.

“Institucionet shtetërore që mbulojnë trashëgiminë kulturore dhe historike, duhet të kenë një vizion të qartë. Dogmat e së djeshmes duhet të zëvendësohen nga objektiviteti shkencor. Harresa është përligjje dhe manipulim prandaj, kundër saj duhen sa më shumë botime të kësaj letërsie, botime dokumentesh e tekstesh profesionale, sa më shumë ekspozita dhe albume tematike, e pse jo, edhe muzeume të kujtesës, duke ndjekur përvojat e vendeve me histori të ngjashme” - tha zoti Topi.

Presidenti Topi dekoroi sot shumë ish-të dënuar politikë, të gjallë e pas vdekjes dhe i shndërroi sallat e presidencës për disa kohë në një muze me eksponate fotografike dhe statistike kushtuar rezistencës anti-komuniste në Shqipëri, duke kërkuar që të mbahet gjallë amaneti i tyre për liri dhe demokraci.

XS
SM
MD
LG