Lidhje

Kosovë: Përkeqësohet gjendja e lirisë së shtypit


Kosovë: Përkeqësohet gjendja e lirisë së shtypit
Kosovë: Përkeqësohet gjendja e lirisë së shtypit

Reporterët pa Kufij radhitën sot Kosovën në vendin e 92-të në raportin e kësaj organizate për shkallën e lirisë së shtypit gjatë vitit 2010. Një vit më parë Kosova ishte në vendin e 75. Rënia e kësaj shkalle për 17 vende, sipas përfaqësuesve të organizatave të gazetarëve në Kosovë është pasqyrim I gjendjes në vend, ndërsa autoritetet e qeverisë thonë se situate është shumë më e mirë sesa që paraqitet në raport. Ymer Mushkolaj nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionist të Kosovës thotë se raporti është më shumë sesa shqetësues, posaçërisht për faktin se rënia ka ndodhur në kohën kur Kosova është e pavarur.

“Mos të harrojmë, para dy vjetësh ne ishim në vendin e 58 dhe kur ishim atje, ne prapë kishim kërkesa që të pozicionohemi sa më lartë në, të shprehem ashtu, në ranglistën e shteteve sa i përket lirisë së medieve. Për AGPK dhe për mua personalisht, shqetësuese është që kjo rënie ka ndodhurit në dy vitet e fundit”, tha zoti Mushkolaj.

Ndërsa kryetari i Unionit të Gazetarëve të Kosovës, Muhamet Jahiri thotë se raporti pasqyron gjendjen reale në vend.

“Është një lajm që në njërën anë është shumë i keq, por në anën tjetër, është lajm i pritur, duke parë rrethanat që janë krijuar dhe duke parë atë që në organizatën tonë ne kemi pasur shumë reagime, shumë njerëz që janë afruar duke na thënë se kanë pasur kërcënime, kanë pasur pengesa në punë. Në njëfarë forme ne e kemi pritur këtë raport që ta ketë këtë vlerësim për faktin se janë rritur kërcënimet, janë rritur pengesat në punë të gazetarëve. Prandaj, është shumë korrekt dhe është shumë i drejtë”, tha zoti Jahiri.

Por qeveria mendon ndryshe. Zëdhënësi i saj Memli Krasniqi thotë se në Kosovë ka liri të padiskutueshme të shtypit krahasuar edhe me vendet e rajonit.

“Po të marrim vendet e rajonit, qoftë Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë, por edhe Serbinë, pra vendet që na rrethojnë, definitivisht gjendja e lirisë së medieve dhe puna e gazetarëve është në nivel shumë më të mirë, më profesional dhe pa interferenca sesa në këto vende. Në Kosovë nuk ka as edhe një rast të ndjekjes penale të gazetarëve, gjë që ka me dhjetëra e dhjetëra raste në të gjitha vendet që neve na rrethojnë”, theksoi zëdhënësi Krasniqi.

“Sa i përket lirisë së shtypit, Kosova mund të merret shembull në rajon dhe është shembull në rajon, plotësisht pajtohem vetëm se është shembull për të keq e jo shembull për të mirë”, tha zoti Mushkolaj.

Por, zëdhënësi Krasniqi thotë se raporti nuk pasqyron gjendjen reale në vend.

“Ndonjëherë mitizohet kjo çështja e raporteve, por raportet i bëjnë njerëzit, kryesisht ato përpilohen nga njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe që veprojnë në Kosovë. Normalisht, kjo nuk duhet të keqkuptohet, nuk po e kontestojmë punën e tyre në asnjë mënyrë, por thjeshtë do të ishte mirë të kishte transparencë për burimet, për personalitetet që janë kontribuar në shkrimin e këtij raporti”, theksoi zoti Krasniqi.

Edhe Reporterët pa Kufij por edhe organizata vendase të gazetarëve tërheqin vërejtjen se liria e shprehjes është njëri nga kushtet për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike. Ata thonë se shkalla e lirisë së fjalës është pasqyrë e shkallës së demokracisë dhe mbrojtja e kësaj lirie nënkupton mbrojtje edhe të Kushtetutës së vendit e cila e garanton atë. Organizatat ndërkombëtare deri tash e kanë radhitur Kosovën në mesin e vendeve me liri të pjesshme të fjalës.

XS
SM
MD
LG