Lidhje

Prelec: Dialogu Prishtinë-Beograd i ndërmjetësuar nga BE, të fillojë së më parë

  • Festim Gashi

Prelec: Dialogu Prishtinë-Beograd i ndërmjetësuar nga BE, të fillojë së më parë

Prelec: Dialogu Prishtinë-Beograd i ndërmjetësuar nga BE, të fillojë së më parë

Analist i çështjeve të Ballkanit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec thotë se Kosova po kalon një krizë politike normale. Ai thotë se pavarësisht nga mundësia e zhvillimit të zgjedhjeveve të parakohshme, dialogu i ndërmjetësuar nga BE mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të fillojë. Veriu i Kosovës është çështje e debatueshme për të cilën zoti Prelec thotë se duhet të shqyrtohet çdo lloj zgjidhje për të cilën palët janë dakord, përfshirë edhe dhënien e një autonomie të gjërë veriut të Kosovës dhe shkëmbimin e veriut të Kosovës me territoret e banuara me shqiptarë në Serbi.

Zëri i Amerikës: Zoti Prelec, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dha dorëheqjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë se mbajtja e postit të presidentit dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike e Kosovës binte ndesh me kushtetutën. A po përjeton Kosova sot krizë institucionale?

Marko Prelec: Jo. Kosova po përjeton krizë politike. Presidenti ka vepruar drejt. Mendoj se ndoshta është për të ardhur keq që gjërat kanë arritur në këtë pikë. Ai mund të jepte dorëheqjen nga posti i udhëheqësit të partisë. Ishte vendimi i tij. Por institucionet po sillen ashtu siç duhet. Mendoj se ky realitet politik krijon shumë pasiguri në Kosovë, brenda partisë së ish presidentit Sejdiu, dhe në marrëdhëniet e saj me Partinë Demokratike, dhe nëse i shton kësaj edhe rigjykimin e Ramush Haradinajt, kjo lë shumë çështje të hapura.

Zëri i Amerikës: Çfarë efekti do të ketë dorëheqja e presidenti Sejdiu në përpjekjet e Bashkimit Evropian për të ndihmuar në fillimin e dialogut mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë? A do të shtyhet dialogu mes Kosovës dhe Sërbisë?

Marko Prelec: Në deklaratat që vijnë nga qeveria e Kosovës thuhet se dialogu me Serbinë nuk do të fillojë para zgjedhjeve të parakohshme që pritet të mbahen në fillim të pranverës së vitit të ardhshëm. Mendoj se qeveria e Kosovës duhet ta rishqyrtojë këtë vendim. Natyrisht nuk është e drejtë të kërkohet nga qeveria të merren vendime të rëndësishm nën këto rrethana, por ka shumë gjëra që mund të bëhen dhe që duhet të bëhen tani. Ka shumë gjëra teknike që duhet të fillojnë. Duhet ta kuptojmë se permes dialogut është e nevojshme të ndërtohen masat e besimit mes palëve. Dhe pse mos të përdoren këto gjashtë muaj për të zhvilluar bisedime mbi disa çështje më të lehta për të ndërtuar këtë lloj besimi dhe për t’u njohur me njëri tjetrin.

Zëri i Amerikës: Cilat janë disa nga këto çështje të lehta?

Marko Prelec: Shumica e këtyra çështjeve kanë të bëjë me zhbllokimin e gjërave nga ana e Serbisë. Unë do të përmend tre prej tyre. Çështja e personave të zhdukur. Kjo është një çështje humanitare dhe kjo nuk prek çështjen e statusit që është e ndjeshme për Serbinë. Kjo të paktën do ta fillonte dialogun. Serbia duhet të lejojë banorët e Kosovës të hyjnë me makina me targa të Kosovës në Serbi. Kjo duhet të lejohet me dokumentacionet e lëshuara nga Kosova. Gjithashtu, Serbia duhet të lejojë kalimin mallrave të Kosovës në Serbi dhe përmes saj. Në këtë fushë Serbia nuk ka argumenta të forta sepse edhe përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë i ka çërtifikuar vulat e Kosovës duke thënë se ato respektojnë rezolutën 1244. Kështu që ka hapësirë për të lëvizur përpara pa patur nevojë që palët të bëjnë lëshime. Të gjitha këto çështje do të përmirësonin jetën e popullit të Kosovës. Nuk ka arsye për të pritur.

Zëri i Amerikës: Në vitin 2012 Serbia do të zhvillojë zgjedhjet parlamentare. Nëse dialogu shtyhet deri pas zgjedhjeve të parakohshme që pritet të zhvillohen në Kosovë pranverën e ardhshme, a do të thotë se dialogu mes Serbisë dhe Kosovës mund të shtyhet deri pas zhvillimit të zgjedhjeve të vitit 2012 në Serbi?

Marko Prelec: Ekziston një supozim se nuk duhet biseduar për çështje të debatueshme 6 muaj para fillimit të fushatës zgjedhore. Besoj se zgjedhjet në Serbi do të zhvillohen në maj të vitit 2012. Nëse Kosova do të organizoj zgjedhjet në shkurt ose mars të vitit të ardhshshëm, atëherë ende mbeten rreth nëntë muaj ose shumica e 2011-ës për të zhvilluar bisedime mbi disa nga çëshjtet më të debatueshme në të cilat Kosova dhe Serbia kanë ndryshime të mëdha. Por, kjo është një arsye tjetër për fillimin e bisedimeve tani. Nëse palët fillojnë të njihen me njëra tjetrën dhe marrin disa hapa të lehtë vitin e ardhshëm, atëherë ata nuk do të arrijnë shumë.

Zëri i Amerikës: 11 vite pas përfundimit të luftës, veriu i Kosovës, veçanërisht Mitrovica vazhdon të përballet me dhunë ndëretnike dhe konflikte mes shqiptarëve dhe serbëve. Rekomandimet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave për autonomi të gjërë për Mitrovicën veriore janë pritur me kundërshtime të fuqishme nga qeveria e Kosovës dhe partite politike atje. Si i shpjegoni këto kundërshtime dhe si duhet të zgjidhet kjo çështje?

Marko Prelec: Veriu i Kosovës është një zonë e debatueshme. Kosova e quan atë territor të saj. Natyrisht edhe Serbia ka pretendime ndaj veriut të Kosovës siç ka pretendime për gjithë Kosovën, të cilën e quan provincën e saj jugore. Por prania e Serbisë në veri të Kosovës është realitet. Ne jemi përpjekur të gjejmë një mënyrë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Njëra prej alternativave është zbatimi i planit të Ahtisarit që është një zgjidhje e mirë. Fatkeqësisht ne nuk shohim vullnet për pranimin e këtij plani nga ana serbëve në veri të Kosovës. Për këtë arsye ne kemi rekomanduar një alternativë tjetër që ata të konsiderojnë një autonomi të gjërë si Alto Adige në Itali, Katalonia në Spanjë, Irlanda Veriore... Ka shumë modele brenda Bashkimit Evropian për rajone autonome që kanë më shumë të drejta. Veriu i Kosovës është më i vogël se shumica e këtyre rajoneve, por është një rajon i veçantë dhe mund të lejohet të qeverisë vehten ashtu siç ndodh tani, por duke pranuar që të bëhet pjesë e shtetit të Kosovës. Mendojmë se nuk duhet të ketë ndryshime në qeverinë qëndrore në Kosovë. Ne nuk duhet të përpiqemi të krijojmë një republikë në Kosovë ashtu siç është Republika Serbe në Bosnje. Në Prishtinë njerëzit e shohin këtë si problem në të ardhmen. Ata e shohin këtë si një lëshim që ata duhet të bëjne pa u kompensuar për të. Disa njerëz në Prishtinë thonë se nëse është e pamundur të integrohet veriu i Kosovës atëherë do të ishte më mire që ky rajon të shkëmbehet me rajonet e banuara me shqiptarë në Serbi. Ne e përmendim këtë si mundësi në raportin e Grupit të Krizave, por nuk e rekomandojmë një gjë të tillë. Por kjo është e mundur nëse Prishtina dhe Beogradi janë dakord për këtë gjë në kontekstin e normalizimit të plotë të marrdhënieve dhe pranimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Zëri i Amerikës: Qeveria e Kosovës ka pritur shtimin e numrit të njohjeve pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, vetëm një vend e ka njohur Kosovën pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Si e shpjegoni këtë?

Marko Prelec: Jam i befasuar nga kjo. Unë ende pres që shumë vende tjera të njohin pavarësinë e Kosovës. Por mësimi që mund të nxjerrim nga kjo është se nuk ka garanci në këtë proces. Por është gabim të fokusohemi në numrin e njohjeve. Pavarësia e Kosovës është e pandryshueshme, e pakthyeshme dhe absolute. Marrja e 50 apo 60 njohjeve tjera nuk do të ndryshoj këtë fakt dhe nuk do jetë e mjaftueshme për Kosovën të bëhet anëtare e OKB-së përveçse në rolin e vëzhguesit. Prandaj, marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës është nevojshme. Për këtë arsye duhet t’i kushtohet vëmendje më e madhe arritjes së përparimit në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe më pak lobimit në vendet që në planin afatëgjatë nuk janë të rëndësishme për Kosovën. Është e rëndësishme të punohet për përmirësimin e marrëdhënieve me 5 vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë Kosovës. Por marrëdhëniet me vendet e Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine janë të një rëndësie të vogël në krahasim me marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj.

Zëri i Amerikës: A po i dëmton korrupsioni përpjekjet e Kosovës për të përmbushur standartet e BE-së për fillimin e bisedimeve për anëtarësim?

Marko Prelec: Absolutisht. Kosova vuan nga reputacioni se është një shtet pa ligje. Ky vlerësim nuk është i drejtë. Qeveria dhe shteti i Kosovës kanë bërë hapa të mëdhenj në përmirësimin e sundimit të ligjit. Ata ende kanë shumë për të bërë. Janë marrë vendime të rëndësishme. Ekziston një qasje më e mire në bashkëpunimin me Euleksin dhe shfrytëzimin e ekspertizës së Euleksit. Mos të harrojmë se një nga kushtet për t’u anëtarësuar në BE është krijimi i një ekonomie të mire, e cila mund të konkurrojë në baza të barabarta me anëtarët e tjerë të BE-së.

XS
SM
MD
LG