Lidhje

SHBA: Protestat e Nju Jorkut përhapen në qytete të tjera

  • Zëri Amerikës

SHBA: Protestat e Nju Jorkut përhapen në qytete të tjera

SHBA: Protestat e Nju Jorkut përhapen në qytete të tjera

Protesat antikapitaliste që nisën pranë Wall Street-it në Nju Jork po përhapen edhe në qytete të tjera të Shteteve të Bashkuara. Në dallim nga lëvizja Tea Party e cila fajëson administratën për problemet ekonomike në Amerikë, e ashtuquajtura lëvizja Occupy – ose Zaptimi, bën përgjegjës për këtë situatë bizneset e mëdha.

Lëvizja e quajtur “Occupy - Zaptimi” po bëhet gjithnjë e më e zëshme ndërsa përhapet nga Wall Street-i - në Uashington dhe po përfshin njerëz të çdo brezi.

“Kemi shpenzuar 3 miliardë dollarë për të çuar fëmijët tanë në luftë. Por jo të gjithë, vetëm fëmijët me ngjyrë, zezakët, të varfërit”.

Suzana Arnet vjen nga Kalifornia për të marrë pjesë në protestë.

“Kjo protestë ka të bëjë me luftën, korrupsionin, babëzinë”.

Sikurse edhe në Nju Jork, edhe në Uashington, antikapitalizmi është tema kryesore e lëvizjes Occupy. Jo pa qëllim protesta u zhvillua në mes të ndërtesave qeveritare në sheshin Liria të Uashingtonit.

Protesta tërhoqi njerëz të ndryshëm - veteranë, studentë, artistë, madje dhe punonjës qeveritarë, të cilët mendojnë se ka shumë për të ndrequr në fusha të ndryshme të jetës së Amerikës, si arsimi dhe infrastruktura përveç shpenzimeve për luftën.

Xhim Gudnou thotë se Amerika ka ndryshuar që kur ai u rekrutua për luftën në Vietnam.

“Në atë kohë mendonim se ky vend ishte vendi i popullit. Pra, i popullit, nga populli, për popullin. Por sot nuk është kështu. Sot ky vend është i korporatave”.

Shumë protestues të rinj thonë se ata u frymëzuan nga pranvera arabe dhe zemërimi spanjoll.

Lurdes Parallobre nga Miami thotë se ajo do të diplomohet së shpejti, por me 20 mijë dollarë borxh nga kredia studentore.

“Kam shumë miq që kanë diploma masteri dhe punojnë nëpër restorante. Kam frikë se kjo mund të më ndodhë edhe mua”.

Protestuesit marshuan përpara Dhomës së Tregtisë duke kritikuar interesat e biznesit që ajo përfaqëson.

“Korporatat zotërojnë sot 2 trilion dollarë që nuk i përdorin. Taksat e tyre janë më të ulëtat në 50 vite. Ndërsa papunësia jonë është 9%” thotë kjo grua.

Marshuesit, shumë prej të cilëve kanë votuar për Barak Obamën, ndaluan gjithashtu edhe përpara Shtëpisë së Bardhë. Brenda saj, Presidenti foli për herë të parë për protestën.

“Mendoj se ajo shpreh acarimin që ndjen populli amerikan”, tha zoti Obama.

Protestuesit e lëvizjez “Zaptimi” patën të mërkurën edhe mbështetjen e sindikatave. Ata tani po ngrenë kampin e tyre në Uashington me shpresën se lëvizja e tyre do të forcohet.

XS
SM
MD
LG