Lidhje

Protesta në Evropë, në shembullin e revoltave 'Zaptimi i Uoll Stritit'


Protesta në Evropë, në shembullin e revoltave 'Zaptimi i Uoll Stritit'
Protesta në Evropë, në shembullin e revoltave 'Zaptimi i Uoll Stritit'

Gjurmët e protestave të fundjavës ende janë të dukshme në disa nga qytetet kyesore evropiane dhe sot priten demonstrata të mëtejshme që do të kenë në qendër temën e indinjatës ndaj korporatave dhe masave të rrepta financiare. Protestat ndjekin modelin e atyre në Shtetet e Bashkuara “Të pushtojmë Uoll Stritin”.

Në Gjermani një grup prej 100 aktivistësh e kaluan natën e mbrëmshme në tenda para Bankës Qendrore Evropiane në Frankfurt, ku 5 mijë protestuesit u mblodhën një ditë më parë. Ata thanë se do të rrinë atje derisa t’u plotësohen kërkesat për masa kufizuese për institucionet financiare globale.

Në Londër, rreth 100 tenda ishin të ngritura sot në mëngjes para Katedrales së Shën Polit, ndërsa protestuesit bëheshin gati të përshëndesnin punonjësit e distriktit financiar, ndërsa ata shkonin në punë. Pankartat në kampin provizor lexonin “Burgosni bankierët” dhe “Ruani qetësinë dhe pushtoni Londrën”. Greg Uilkinson e kishte kaluar natën në tenda:

“Pabarazia po thellohet çdo ditë edhe më shumë. Kapitalizmi kurrë nuk ka qenë i mirë, por të paktën ka pasur periudha kur i siguronte njerëzve punë dhe ua rriste të ardhurat. Por vitet e fundit ka rritur të ardhurat vetëm për 1 për qindshin e më të pasurve, duke mos ia ndryshuar gjendjen njerëzve të tjerë, nëse janë me fat dhe kanë një punë”.

Protestat në qytetet evropiane ishin pjesë e demonstratave kundër kapitalizmit dhe masave të rrepta financiare, të cilat u përhapën në shkallë globale të shtunën, me marshime në vende të ndryshme të botës.

Dhjetra mijëra vetë që e quajtën veten të indinjuarit dolën në rrugë ndërsa protestat që filluan në Nju Jork u gërshetuan me demonstratat që kanë filluar prej kohësh kundër shkurtimit të shpenzimeve nga ana qeverisë dhe politikave të dështuara financiare në Evropë.

Italia pa protestat më të dhunshme gjatë së shtunës dhe policia sot ndërmori aksione për të arrestuar protestuesit që shkaktuan dhunë. Zyrtarët e rendit thanë se trazirat e fundjavës ishin ndër më të dhunshmet që kanë ndodhur në Romë prej vitesh. Disa njerëz u plagosën dhe shumë objekte u dëmtuan. At Xhuzepe Çuçi është prift në një kishë ku u shkatërrua statuja e Shën Mërisë.

“Është për të ardhur keq që dhuna arrin të depërtojë sepse minon diçka që bëhet për një kauzë të drejtë”.

Ndërkohë në Greqi, punonjësit e porteve hynë në grevë duke e bllokuar transportin detar, ndërsa punonjësit e ministrisë së financave thanë se do të vazhdojnë të mbajnë të bllokuara zyrat deri në fund të muajit. Megjithëse arsyeja e protestës së tyre – masat e rrepta financiare si pasojë e kushteve për vazhdimin e ndihmës nga BE-ja – përkon pjesërisht me atë të protestuesve të tjerë në Evropë, ajo nuk është pjesë e vargut të demonstratave që u frymëzuan nga Uoll Striti.

Në Shtetet e Bashkuara, protestat janë shtrirë në pjesë të ndryshme të vendit dhe pritet të vazhdojnë.

XS
SM
MD
LG