Lidhje

Qeveria e Kosovës kundërshton raportimet e të dërguarit të KE-së


Qeveria e Kosovës kundërshton raportimet e të dërguarit të KE-së

Qeveria e Kosovës kundërshton raportimet e të dërguarit të KE-së

Qeveria e Kosovës hodhi sonte poshtë çdo pretendim për përfshirjen e ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrëmbimin e civilëve për trafikim organesh.

Ky reagim pasoi një shkrim të gazetës britanike The Guardian e cila ka cituar pjesë të një raporti të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, në të cilin, sipas gazetës, thuhet se “kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është kreu i një grupi shqiptar të “tipit –mafia”, përgjegjës për kontrabandimin e armëve, drogës dhe organeve njerëzore”.

Sipas raportit, të cilin gazeta pretendon se e ka parë, “Hashim Thaçi është identifikuar si ‘shefi’ i një rrjeti që filloi veprimet kriminale pas luftës së Kosovës dhe ruajti ndikimin e tij të fuqishëm mbi qeverisjen e vendit që nga ajo kohë”.

Gazeta shkruan se figurat nga rrethi i afërt i Thaçit, janë akuzuar se pas luftës, “në mënyrë të fshehtë kanë dërguar të burgosur përtej kufirit me Shqipërinë ku disa serbë thuhet se janë vrarë për shkak të veshkave të tyre, të cilat janë shitur në tregun e zi”.

Raporti pritet të diskutohet të enjten në Komitetin e Ligjeve dhe të Drejtave të Njeriut, në Paris.

Qeveria e Kosovës në një reagim të orëve të mbrëmjes, tha se “ky raport është në vazhdën e raporteve që janë publikuar në 12 vitet e fundit dhe që kanë pasur për qëllim njollosjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të udhëheqësve të saj. Pretendimet e botuara në “The Guardian“ janë hetuar disa herë nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare, dhe në të gjitha rastet është konstatuar që deklarimet e tilla kanë qenë të pabazuara në fakte dhe të konstruktuara me qëllim të dëmtimit të imazhit të Kosovës dhe të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Është e qartë se dikush dëshiron të pengoj Kryeministrin Hashim Thaçi pas zgjedhjeve parlamentare. Veprimet e tilla të ulta dhe bizare, nga njerëz pa asnjë kredibilitet moral, thuhet në reagim, mund të jenë në shërbim vetëm të qarqeve të caktuara që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

Opinioni i gjerë vendor dhe ndërkombëtar tashmë e di fare mirë se Dik Marti që nga fillimi, pa u mbështetur në asnjë fakt dhe argument, ka qenë paragjykues dhe i vendosur që të raportojë në favor të qëndrimeve që ka shprehur bashkëpunëtorja dhe mikja e tij Karla Del Ponte dhe Qeveria e politikanët e Republikës së Serbisë.

Por, publikimi i qëndrimeve të tilla paragjykuese dhe denoncuese, pa u mbështetur në asnjë fakt dhe argument, nuk përkon me etikën profesionale që do të duhej ta kishte gazeta “The Guardian”. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kryeministri Hashim Thaçi do të ndërmarrin të gjithë hapat dhe veprimet e nevojshme për të kundërshtuar shpifjet e Dik Martit, duke përfshirë edhe rrugët ligjore dhe politike”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Vitin e kaluar, Këshilli i Evropës emëroi zotin Dick Marti si të dërguar të tij për të hetuar pretendimet se kryengritësit shqiptarë kanë rrëmbyer pjesëtarë të komunitetit serb gjatë luftës dhe më pastaj kanë trafikuar organet e tyre. Senatori zviceran Dick Marty, në janar të këtij viti ka qëndruar në Kosovë ndërsa vitin e kaluar kishte zhvilluar hetime edhe në Shqipëri.

Pohimet e tilla për herë të parë u ngritën nga ish kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte në librin e saj “Gjuetia”, të botuar në vitin 2008. Pas kësaj një numër organizatash ndërkombëtare kërkuan hetime rreth kësaj çështjeje, ndërsa Këshilli i Evropës caktoi zotin Dick Marty të merret me këtë çështje.

Në Prishtinë ndërkaq janë mohuar në vazhdimësi akuzat e tilla, ndërsa është shprehur gatishmëria për të mbështetur cdo hetim të pavarur.

Që nga emërimi i zotit Dick Marty në Kosovë janë hedhur dyshime rreth paanshmërisë së tij për shkak të qëndrimit të tij kundërshtues ndaj pavarësisë së Kosovës. Në reagimin e qeverisë thuhet se ajo “u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që të kundërshtojnë fuqishëm këtë raport shpifës dhe tendencioz dhe të mos rreshtohen në anën e atyre që me çdo kusht duan ta pengojnë stabilitetin, progresin dhe qeverisjen e mirë në Republikën e Kosovës”.

XS
SM
MD
LG