Lidhje

Ekspertë të Kushtetutës: Djegia e Kuranit, formë e ushtrimit të lirisë së shprehjes


Gjatë gjithë historisë së tyre, amerikanët i kanë zgjeruar vazhdimisht hapësirat e lirisë së të shprehurit. Ata kanë djegur flamurin kombëtar, kanë shprehur hapur urrejtje racore dhe kanë ushqyer publikisht përçarje fetare dhe etnike.

Të gjitha këto forma të shprehjes mbrohen nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane, i cili garanton lirinë e fjalës në Shtetet e Bashkuara, për sa kohë që ajo nuk nxit veprime të paligjshme nga popullata.

Ira Lupu është profesor i së drejtës në Universitetin George Washington:

“Pra, nëse i Përndershmi Jones në Gainesville që vendosi të djegë Kuranin, i bën thirrje grigjës së tij të shkojnë në xhaminë e lagjes apo në qendrën islamike dhe të gjuajnë dritaret me gurë, kjo do të përbënte ndezje të situatës. Por thjesht djegia e Kuranit dhe shprehja e pakënaqësisë ndaj fesë islame, nuk përbën nxitje të akteve të paligjshme nga popullata. Ai mund të ketë ushqyer urrejtjen tek njerëzit, por urrejtja nuk është krim, është qëndrim ndaj dikujt”.

Profesor Lupu thotë se ka shumë arsye përse akte që në dukje janë të urryera, lejohen dhe konsiderohen të ligjshme. Nëse shtypet shprehja e tyre, thonë disa, lëvizja që i ushqen ato mund të bëhet më e fortë në mënyrë klandestine. Një tjetër argument është se ekspozimi i këtyre forcave në publik i dobëson këto lëvizje.

“Një ndër rezultantet tepër pozitive që kanë dalë nga kjo kishë në Gainesville është reagimi i fortë që kanë shprehur njerëzit," thotë profesor Lupu.

“Është e vërtetë që liria në Shtetet e Bashkuara, sidomos liria e besimit, sjell përplasje. Por këto përplasje përbëjnë edhe gjenialitetin e mënyrë si funksionon ky vend”, thotë Charles Haynes, studiues pranë Qendrës për Amendamentin e Parë në Uashington. Ai shkruan gjerësisht për lirinë e besimit dhe thotë se Amerika është ndoshta vendi me tolerancën më të madhe fetare në botë:

“Mendoj se shumë amerikanë myslimanë do t’jua pohonin këtë fakt, që një liri kaq e gjerë u lejon edhe vetë atyre të drejtën për të praktikuar fenë islame në mënyra dhe forma që nuk mund ta praktikojnë as në shumë vende myslimane”.

NATS – “Racists go home!”

Liria e plotë e besimit dhe fjalës, thonë studiuesit, nënkupton në linja të përgjithshme se argumentet që ne mbështesim, do të neutralizojnë argumentet që nuk na pëlqejnë. Në aktivitete publike në të gjithë vendin, shumë amerikanë po shfrytëzojnë lirinë e fjalës pikërisht për këtë qëllim.

XS
SM
MD
LG