Lidhje

Shqipëri: Dita Botërore e romëve; Debat kundër diskriminimit dhe varfërisë


Shqipëri: Dita Botërore e romëve; Debat kundër diskriminimit dhe varfërisë
Shqipëri: Dita Botërore e romëve; Debat kundër diskriminimit dhe varfërisë

Dita Botërore e Romëve ishte rasti i dytë sot brenda pak ditësh që në Tiranë po diskutohet me vëmendje të madhe për të drejtat e kësaj pakice pas incidentit të dhunshmëm në muajin shkurt kur 60 familje rome u përzunë me forcë nga banesat e tyre të përkohshme në një shesh afër qendrës.

Përfaqësuesi i Bashkimit Amaro-Drom, Skënder Veliu tha në konferencën kombëtare për një shoqëri pa racizëm dhe pa diskriminim se “ngjarja në afërsi të stacionit të trenit ishte një ngjarje e rëndë, dhe një mesazh për të qenë të vëmendshëm ndaj problemeve e halleve të shumta të pakicës rome”. Zoti Veliu thotë se “kërkesa kryesore e romëve është arsimimi, sepse 40 për qind e fëmijëve rom braktisin shkollat. Pastaj vijnë strehimi, shëndetësia dhe me radhë vështirësitë sociale ekonomike”.

Ndërsa presidenti Bamir Topi, tha se “shteti dhe shoqëria shqiptare po e shton gjithnjë e më shumë kujdesin ndaj pakicave dhe sidomos asaj rome”. Ai tha se romët janë pjesë e historisë dhe kulturës së Shqipërisë. Ai u bëri thirrje të ndjekin dhe të dëgjojnë me vëmendje kandidatët për bashkiakë sepse “shumë probleme të tyre lidhen me pushtetin vendor, dhe sidomos duhet të marrin pjesë në votime, sepse kjo është një e drejtë e tyre”.

Shqipëria është duke zbatuar një strategji afatgjatë për integrimin e romëve, megjithatë ngjarja e dhunshme e 20 shkurtit ndaj 60 familjeve rome tronditi opinionin publik. OSBE, SHBA dhe BE u bënë thirrje autoriteteve shqiptare që të hetojnë largimin me dhunë të familjeve rome nga vendbanimi i tyre pranë stacionit të trenit dhe t'u ofrojnë ndihmë të shpërngulurve. Në deklaratën e tyre të përbashkët tre ambasadorët e OSBE, SHBA dhe BE bashkohen me përfaqësuesit e shoqërisë civile në thirrjen për t'i dhënë fund diskriminimit dhe dhunës ndaj familjeve dhe fëmijëve romë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG