Lidhje

Romët në SHBA, integrimi në shoqëri; avantazhet dhe disavantazhet

  • Zëri Amerikës

Romët në SHBA, integrimi në shoqëri; avantazhet dhe disavantazhet

Romët në SHBA, integrimi në shoqëri; avantazhet dhe disavantazhet

Muajin e kaluar, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut filloi dëgjimin e çështjes së një gruaje rome nga Sllovakia, e cila thotë se u sterilizua kundër dëshirës së saj. Ndërkohë, vendimi i Francës për të dëbuar imigrantë romë, që jetojnë në vendbanime të përkohshme, u prit me habi nga aktivistët. Po jashtë Evropës, a ka probleme të ngjashme? Siç vihet në dukje në materialin në vazhdim, në Shtetet e Bashkuara diversiteti kulturor mund t’u ofrojë romëve si avantazhe edhe disavantazhe.

Kristiana Grigoir studion në Universitetin Vanderbilt të shtetit Tenesi, me një bursë prestigjoze Fulbright. Ajo është rumune si edhe rome, pjesë e një grupi etnik, të cilët shpesh quhen ciganë. Ajo thotë se amerikanët i njohin shumë pak romët.

“Shumica e amerikanëve që kam takuar, nuk dinë shumë rreth popullit rom. Ata njohin ciganët, por jo si një grup i tërë etnik, një popull i tërë. Ata i shkojnë më shumë këta njerëz si një kostum hallouini që vishet një herë në vit”.

Në Shtetet e Bashkuara, romët shpesh shihen të lidhur me një kulturë të largët, ekzotike. Në rrugën Xhipsi në Philadelphia, një banor thotë se nuk e di si e mori emrin kjo rrugë, por e di fare mirë se këtu nuk banon ndonjë cigan. Ai thotë se romët përbëjnë një pjesë fare të vogël të popullsisë në Shtetet e Bashkuara.

“Do të thosha se romët përbëjnë një pjesë fare të vogël, ndoshta 0.01 për qind të popullsisë”.

Profesori i Universitetit të Teksasit, Ian Hancock thotë se në Shtetet e Bashkuara banojnë deri në 1 milion romë. Ai thotë se në Amerikë ka pasur valë imigrantësh romë që prej fillimit të viteve 1800. Profesor Hancock, i cili ka qenë përfaqësues i romëve në Kombet e Bashkuara, thotë se historikisht romët e kanë pasur të lehtë të integrohen në shoqërinë amerikane, ndërkohë që kanë ruajtur traditat e tyre. Por kjo, thotë profesori, ka pasur pasojat e veta.

“Në një vend imigrantësh si Shtetet e Bashkuara jetojnë njerëz të kulturave, etnive dhe racave të ndryshme. Romët, për shembull, nuk ndryshojnë shumë nga të bardhët, gjë që ka nxitur idenë se ky grup është një kulturë dhe jo etni.”

Profesor Hancock kujdeset për Qendrën e Arkivës dhe Dokumentacionit të Romëve. Koleksioni i tij përbëhet nga libra, fotografi dhe filma, për të cilët ai thotë se inkurajojnë këtë imazh të deformuar të romëve.

“Media raporton rreth romëve lidhur me aspekte, që nuk do të guxonte t’i përmendte rreth pakicave të tjera të vendit. Këtu përfshihet edhe industria e sotme e argëtimit”.

Fej Uilliams i përket brezit të tretë rom, i lindur në Amerikë. Ajo jeton me familjen në Texas dhe thotë se imazhe të tilla nuk janë zhdukur.

“Shumica e njerëzve nuk e kanë idenë e kulturës tonë. Ata mendojnë se romët janë njerëz, që sillen vërdallë për të vjedhur pula dhe rrëmbyer fëmijë të vegjël”.

Williams thotë se kur ishte fëmijë, të rriturit e mësonin të mos identifikohej si rom. Ajo thotë se megjithë paragjykimet, aftësia e popullit të saj për t’u integruar në shoqëri ka qënë një e mirë e jo mallkim, veçanërisht po të krahasohet me Evropën.

“Mendoj se ka qënë aspekti më i mirë që kemi përjetuar si popull. Populli ynë erdhi në këtë vend, si shumë popuj nga vende të tjera, dhe e pati të lehtë të integrohej, shumë më të lehtë se çdo popull tjetër”.

Kristiana Grigoir thotë se diversiteti kulturor në Shtetet e Bashkuara e bëri atë që të flasë hapur për herë të parë rreth identitetit të saj rom. Ajo e vë theksin tek kontrasti që ekziston në vendlindjen e saj, Rumani, ku romët ende diskriminohen.

“Imagjinoni se mua mu deshën 20 vjet për të folur rreth identitetit tim etnik. Kjo tregon se sa të forta janë paragjykimet”.

Grigoir, balerinë amatore, thotë se nuk ka përjetuar diskriminim racial në Shtetet e Bashkuara. Në fakt, shton ajo, trashëgimia e saj etnike ka qënë për të një pasuri.

“Kur flas për vete si pjesë e popullatës cigane, njerëzit reagojnë me interesim dhe si rezultat edhe jeta ime menjëherë bëhet më interesante”.

Megjithatë, disa romë thonë se diskriminimi është një barrë e rëndë në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në vendin e punës.

XS
SM
MD
LG