Lidhje

Bie popullsia e Rumanisë, nga emigracioni dhe rënia e lindjeve


Popullsia e Rumanisë ka rënë me më shumë se 12 për qind nga viti 2002 për shkak të emigrimit dhe normës së ulët të lindjeve. Të dhënat e para të regjistrimit të popullatës kanë krijuar shqetësime lidhur me përmasat e fuqisë punëtore dhe të ardhurave tatimore. Rumania është vendi i dytë më i varfër i Bashkimit Evropian me një popullsi prej rreth 19 milion banorësh ose 3 milion më pak se sa 10 vjet më parë.

Në spitalet e lindjes të Bukureshtit rënia e normës së lindjeve është e qartë.

"Vitin e kaluar kemi pasur rreth 3500 lindje, dy vjet më parë 3900. Është e qartë se numri i lindjeve është në rënie, megjithatë Bukureshti, në krahasim me rajone të tjera si Suceava ose Lashi, ka dy herë më tepër lindje", thotë Andrea Enache, mjeke në maternitetin e spitalit Panait Sirbu të Bukureshtit.

Por, shkalla e ulët e lindjeve është vetëm një arsye për rënien e mprehtë të popullsisë. Të dhënat nga regjistrimi i fundit tregojnë se gati 1 milion rumunë jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, si në Spanjë dhe Itali. Por sipas disa statistikave numri i tyre mund të arrijë deri në 3 milion.

Kjo ka krijuar shqetësime sepse në Rumani ka vetëm 5 milionë të punësuar që paguajnë taksa. Një e katërta e tyre punojnë në sektorin shtetëror i cili është joefikas.

"Ajo që shpjegon ndryshimin e numrit mes dy regjistrimeve është se, së pari kemi të bëjmë me një rënie natyrale të popullatës. Gjithashtu shumë njerëz janë jashtë Rumanisë. Pra fjala është vetëm për një diferencë prej 1 milion banorësh që ne po përpiqemi ta shpjegojmë," thotë Ilie Dumitrescu, zëdhënës i Institutit Kombëtar të Statistikave.

Në fshatin Lupshanu, rreth 75 kilometra në lindje të Bukureshtit, shumica e banorëve janë të moshuar. Fshati ka humbur rreth një të dhjetën e popullsisë që nga viti 2002.

"Në fshat kemi 3300 banorë. 60-70 për qind janë të moshuar, mbi 60 vjeç. Të rinjtë emigrojnë në qytetet e mëdha dhe përtej kufirit," thotë Tamara Dobre, zyrtare e administratës në Lupshanu.

Maria, pensioniste nga ky fshat, prej vitesh jeton e vetme. Dy fëmijët e saj kanë lëvizur në qytet për të kërkuar punë.

"Kam dy fëmijë, djali punon si mësues në Lehliu, vajza është infermiere në Slobozia. Unë jetoj vetëm, por ata kujdesen për mua. Jetoj me pensionin tim. Është shumë e vështirë të jetosh vetëm, por ç’të bëj? Nuk mund ta lë shtëpinë", thotë Maria, e cila është më me fat se shumë nga fqinjët e saj, fëmijët e të cilëve kanë shkuar në vende të tjera për të kërkuar punë.

Eurostati parashikon se Rumania, Letonia, Polonia dhe Bullgaria do të kenë përqindjen më të lartë të të moshuarve deri në vitin 2060. Kjo prirje është me pasoja për të ardhurat që këto vende vjelin nga taksat si dhe pritet të çojë në rritjen e shpenzimeve buxhetore për të përballuar mbështetjen e kësaj pjese të popullatës.

XS
SM
MD
LG