Lidhje

Lëvizja demokratike në Rusi në kërkim të një strategjie të re

  • Zëri Amerikës

Zgjedhja e Vladimir Putinit në postin e presidentit ishte një humbje e madhe për lëvizjen opozitare të përbërë kryesisht nga klasa e mesme. Pas protestave masive gjatë dimrit, një protestë e zhvilluar të shtunën kishte një grup më të vogël pjesëmarrësish. James Brook njofton nga Moska mbi planet e ardhshme të opozitës.

Lëvizja ruse për demokraci është në kërkim të një drejtimi të ri pas zgjedhjes së Vladimir Putinit në postin e presidentit me mandat gjashtë vjeçar.

Ksenia Sobchak, një personalitet televiziv kthyer në aktiviste, u tha protestuesve në Moskë se lëvizja duhet të dalë me qëllime pozitive:

“Ne e njohim kundërshtarin tonë. Ne duhet të tregojmë se për çka jemi, për reforma ligjore, media të pavarura, për reforma të thella politike. Nëse ne nuk e tregojmë se cili është qëndrimi ynë, beteja jonë nuk do të ketë kuptim”.

Në zgjedhjet e 4 marsit, Mikhail Prokhorov, një sipërmarrës miliarder, në Moskën qëndrore fitoi më shumë vota se sa zoti Putin. Këtë javë, zoti Prokhrorov pritej të formonte një parti politike.

Aktivisti politik Andrei Khoroshilov e sheh këtë parti si një vazhdim të lëvizjes qytetare për vëzhgimin e votimeve.

“Hapi i parë ishte vëzhgimi i zgjedhjeve. Hapi tjetër është krijimi i një partie popullore. Mendoj se njerëzit do të dalin me opinionet e tyre”.

Asya Shvydkova, studente 20 vjeçare thotë se studentët kanë një interes të ri për politikën.

“Ne diskutojmë për shumë çështje dhe mendojmë për ndryshimet që mund të realizojmë. Për këtë arsye kemi ardhur këtu”.

Koalicioni kundër Putinit është duke humbur përkrahjen e ekstremistëve. Protesta e së shtunës nuk kishte flamujë të zinj të nacionalistëve dhe flamuj të kuq të komunistëve.

Sergey Udaltsov, udhëheqës i Frontit të Majtë, ka bërë thirrje për organizimin një proteste të madhe, “Marshimi 1 milionësh”, në maj kundër inagurimit të zotit Putin.

Më vonë ai hoqi dorë nga kjo thirrje, organizoi një marshim tjetër dhe menjëherë u arrestua. Disa orë pas arrestimit të tij, udhëheqësit liberalë u shkëputen nga fronti i zotit Udaltsov.

Të vendosur për ruajtjen e mbështetjes së klasës së mesme, liberalët thonë se ata do të punojnë këtë pranverë për reforma e jo revolucion në Rusi.

XS
SM
MD
LG