Lidhje

Rusia mban zi për viktimat e shpërthimeve


Presidenti rus Dmitri Medvedev bëri thirrje për një ligj të ri për të luftuar terrorizmin, pas shpërthimeve të djeshme në metronë e Moskës në të cilat u vranë 39 persona. Zoti Medvedev i bëri komentet ndërkohë që askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet. Por autoritetet thonë se ato u kryen nga dy gra të lidhur me ekstremistët islamikë në republikat jugore të Rusisë. Ndërkohë Rusia mbajti zi për viktimat e shpërthimeve.

Në ndërtesat qeveritare flamurët ishin ngritur sot në gjysmë shtize ndërsa aktivitetet e argëtimit si dhe programet artistike në televizion u anuluan.

Në dy stacionet e metrosë ku ndodhën shpërthimet ishin vendosur lule dhe qirinj të ndezur.

Ndërkaq, numri i të vdekurve u rrit sot në 39 pas vdekjes së një gruaje nga plagët e marra dje. Pesë vetë mbeten në gjendje të rëndë, nga 71 personat e shtruar në spital. Zyrtarët thonë se deri tani, vetëm 8 nga viktimat e shpërthimeve janë idenfikuar zyrtarisht.

Sot, në Moskë dhe kudo në qytetet e Rusisë, masat e sigurisë së transportit ishin të forta. Policia ruante hyrjet e stacioneve të metrosë me armë automatike dhe me qen.

"Në metro ndihet tensioni, fytyrat e njerëzve janë të ngrysura. Po kaloja sot nga stacioni Lubyanka dhe të gjithë shikonin drejt vendit ku ndodhi shpërthimi. Shumë njerëz madje dolën jashtë vagonave për të parë. Ishte e tmerrshme", thotë Alina Tsaritova.

Në median ruse ndërkaq vazhdojnë debatet e ashpra rreth motivit të ngjarjeve të djeshme. Disa gazeta kanë shprehur hamendjen se shpërthimet ishin një kundërpërgjigje ndaj vrasjeve kohët e fundit të udhëheqësve militantë në Kaukazin verior nga ana e policisë ruse.

XS
SM
MD
LG