Lidhje

Rusia nën kritikat e ambjentalistëve, për masat përgatitore për Olimpiket 2014


Firma ruse e ndërtimit, Olympstroi Corporation, e cila administrohet nga shteti, thotë se qeveria duhet të bëjë më shumë për të parandaluar dëmin ekologjik në zonën ku do të zhvillohen Lojërat Olimpike Dimërore të Soçit në vitin 2014. Firma Olympstroi ka marrë përsipër ndërtimin e mjediseve për Lojërat në pikën turistike në Detin e Zi, por kohët e fundit është informuar se si rezultat i shqetësimeve për dëmet e mjedisit, dega ruse e shoqatës ambjentaliste World Wildlife Fund nuk ka më në plan të bashkëpunojë me të.


Shoqata World Wildlife Fund thotë se mijëra hektarë rezervat natyror përreth Soçit rrezikohen të dëmtohen si rezultat i prerjes së pemëve të rralla dhe ndërtimit të rrugëve përmes pyjeve të paprekura. Shoqata thotë se disa ekosisteme kanë pësuar dëme të pandreqshme dhe mjedise që strehojnë zogj e arinj janë shkatërruar.

Igor Chestin është drejtor i zyrës së shoqatës në Moskë:

“Prerja e pyjeve nënkupton ndryshimin e rrugëve që ndjekin kafshët shtegtare, por nuk dihet se në ç’masë. Askush nuk po e ndjek këtë ndryshim, nuk janë bërë studime që kur filloi ndërtimi.”

Zoti Chestin thotë se një ndër zonat më të dëmtuara është lugina e lumit Mzymta. Mijëra rrënjë ahu janë prerë për të hapur rrugën për linjat e komunikacionit.

Rusia u zgjodh si organizatore e Lojërave të ardhshme Dimërore në 2014, duke mundur Pionçangun e Koresë së Jugut dhe Salcburgun e Austrisë.

“Zgjedhja e Soçit dhe përgatitjet për Lojërat Olimpike do të jenë një stimul i fuqishëm për zhvillimin e Rusisë jugore. Jam i bindur se do të jemi në gjendje t’i organizojmë këto Lojëra në nivelin më të lartë të mundshëm,” tha kryeministri rus Vladimir Putin.

Por që nga ajo kohë, ndërtimet për Lojërat Olimpike kanë hasur në probleme të shumta, përfshirë ankesat nga banorët vendas se po u merret toka pa të drejtë.

Një zëdhënës për Korporatën Olympstroi, kompania përgjegjëse për ndërtimet, i tha Zërit të Amerikës se qeveria mund të bëjë më shumë për të zbatuar rregulloret aktuale për mjdisin.

Por Yevgeni Volk i Fondacionit Heritage thotë se nuk ka shumë stimul për këtë:

“Synimi kryesor është të ndërtohem mjediset në kohë dhe me kosto sa më të ulët për ata që ndërtojnë, por sa më të shtrenjtë për ata që paguajnë. Në këtë sistem, shqetësimet për mjedisin nuk janë parësore.”

Zyrtarët e shoqatës World Wildlife Fund thonë se mund të jetë tepër vonë për Rusinë të organizojë Lojëra të padëmshme për mjedisin. Por ata shtojnë se qeveria dhe parlamenti rus mund të marrin masa për të kufizuar sa më shumë dëmin.

XS
SM
MD
LG