Lidhje

Obama, Medvedev do të nënshkruajnë Traktatin e ri për Armët Strategjike


Presidenti amerikan Barak Obama dhe Presidenti rus Dmitri Medvedev do të takohen të enjten në Pragë për të nënshkruar një traktat për pakësimin e mëtejshëm të stoqeve bërthamore të vendeve të tyre. Nënshkrimi i traktatit pritet të forcojë sigurinë kombëtare të të dy vendeve dhe marrëdhëniet ruso-amerikane:

Dy udhëheqësit do të takohen në kryeqytetin çek, ku një vit më parë Presidenti Obama parashtroi vizionin e tij për një botë pa armë bërthamore.

“Sot po e them qartë dhe me bindje angazhimin e Amerikës për të arritur paqe dhe siguri në një botë pa armë bërthamore.”

Marrëveshja që do të nënshkruhet të enjten zëvendëson Traktatin Start Një, të cilin presidenti Xhorxh Herbert Bush dhe Presidenti sovjetik Mikail Gërbaçov e nënshkruan në vitin 1991. Traktati skadoi dhjetorin e kaluar.

Pas një viti negociatash të vështira, presidentët Obama dhe Medvedev do të nënshkruajnë një traktat për reduktimin e arsenaleve përkatëse të mbushjeve strategjike të dislokuara në masën 25-30 për qind.

Pakti është një hap modest por i rëndësishëm, sipas Kingston Rif në Qendrën për Kontrollin dhe Mospërhapjen e Armëve në Uashington.

“Marrëveshja redukton në mënyrë të verifikueshme stoqet e tepërta ruse dhe amerikane dhe ofron parametrat për një proces kontrolli dhe monitorimi modern dhe transparent.”

Zoti Rif parashikon gjithashtu se traktati do të ndihmojë forcimin e marrëdhënieve dy palëshe që shpesh kanë përjetuar tensione. Ai thotë se përmirësimi i bashkëpunimit pritet të ndihmojë Uashingtonin dhe Moskën të luftojnë terrorizmin bërthamor dhe të punojnë për sanksione më të rrepta kundër Iranit për aktivitetin e tij bërthamor.

“Besimi dhe transparenca që do të krijojë marrëveshja në marrëdhëniet ruso-amerikane do t’ua bëjë më të lehtë Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë të bashkëpunojnë në fusha të tjera që janë me rëndësi qendrore për sigurinë e Amerikës dhe të Rusisë.”

Kur e njoftoi marrëveshjen më 26 mars, Presidenti Obama la të kuptonte se do të rriste edhe prestigjin e Shteteve të Bashkuara:

“Kemi treguar me prova rëndësinë e udhëheqjes amerikane, të partneritetit amerikan në të mirë të sigurisë sonë dhe të botës.”

Pas nënshkrimit, traktati duhet të ratifikohet nga Dhoma e Ulët e Parlamentit rus, Duma dhe Senati amerikan ku duhet të marrë votën e 67 nga 100 senatorët amerikanë.

Gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Pragë, zoti Obama do të zhvillojë edhe një takim kokë-më-kokë me homologun e tij rus dhe do të marrë pjesë në një darkë për krerët e 11 vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.

XS
SM
MD
LG